Kryetari i Këshillit Kombëtar, Bujar Nishani, që ka kërkuar dorëheqjen e Lulzim Bashës, thatë gjatë mbledhjes së Këshilli zhvillohet në një prej situatave më kritike e delikate të PD që prej situatës së vitit 1997.
“PD sot ndodhet në një situatë dramatike, dëshpërimi, zhgënjimi, udhëkryqi por dhe momenti historik.
Të nderuar anëtar të Këshillit Kombëtar, ditën e parë të mbledhjes së këtij Këshilli, kur dhe më nderuat me postin e Kryetarit ju jam drejtuar me fjalët: se përballë kemi një regjim gangsterësh dhe na pret një beteje dhe jo konkurence normale politike.
Sot për fatin e keq të secilit prej nesh, të cdo demokrati, për fatin e keq të vet Shqipërisë, ne nuk mundëm të fitojmë këtë betejë elektorale dhe kemi dalë pas 25 prillit pa asnjë ndryshim për Shqipërinë”, u shpreh ai.
“Sot jemi thirrur nga Kryetari i Partisë për të analizuar masakrën elektorale.
Po, masakra elektorale që ka ndodhur është e vërtetë por kjo është vetëm gjysma e të vërtetës.
Eshtë gjysma e të vërtetës së hidhur që i atribuohet krimit elektoral shkaktuar nga pushteti zyrtar dhe shteti paralel ngritur po nga pushteti, por gjysma tjetër e të vërtetës, po aq të hidhur, është dështimi ynë për të fituar, cka përbën pjesën tonë të përgjegjësisë.
Sot jemi thirrur për të analizuar vetëm gjysmën e parë të së vërtetës.
Por gjysëm e vërteta nuk është kurrë e vërteta!”
Nishani tha se pas 8 vitesh qeverisje, PD rezulton 9,5 pike % poshtë PS.
“Pra përsëri parti e dytë me diferencë të madhe.
Qartazi PS e shtoi thesin e saj elektoral me vota të blera, me përdorimin e pushtetit, parave, krimit etj etj, por ne nuk arritëm ta mbushim thesin tonë elektoral për të qenë fitues.
Në zgjedhje ose fiton ose humb !
Në mes nuk ka !
Ne po e nisim legjislaturën e shtatorit të 2021 atje ku e lamë legjislaturën e shkurtit të 2019.
Pra, thjesht jemi kthyer 2,5 vite pas!
U dhanë garanci demokratëve se vota e shqiptarëve nuk do të preket, nuk do të tjetërsohet, nuk e mbajtëm fjalën !
Deklaruam se fitorja është në kuti, kur proçesi i votimit u mbyll.
I gënjyem demokratët!”
Nishani foli edhe për komisionin ku ai bënte pjesë për përzgjedhjen e kandidatëve.
“Vendimet e atij komisioni mund të kenë qenë tërësisht të gabuara por një lider partie nuk takon veçmas të pakualifikuarit e ju deklaron se ai komision nuk ka asnjë vlerë dhe se cdo njeri në këtë parti kontratën e ka vetëm me Lulzim Bashën.
Kjo është e turpshme !
Kryetari i Partisë mund ta konsideronte të dështuar punën e atij komisioni dhe kishte të gjithë tagrin të thërriste Kryesinë e KK e të anulonin të gjitha vendimet e tij, të anulonin vetë komisionin e të kryente një proces tjetër.
Lideri është lider, sillet me burrni, kurajo, transparencë dhe institucionalizëm !
Jo me kulisa e as me kontrata personale !
Perndryshe shqiptarët nuk të besojnë e nuk të votojnë”, tha ai.
Nishani kërkoi dorëheqjen e parevokueshme të Bashës dhe reformim të partisë.
Ndërsa Lulzim Basha mësohet të jetë shprehur gjatë mbledhjes: “Zgjidhni dhe dua t’ju shoh të gjithëve në sy. Ose zgjedhjet janë të vjedhura dhe vazhdojmë në betejë, ose nëse për ju janë në rregull, atëherë unë jap dorëheqjen tani”.
Nuk mungoi as reagimi i Arben Ristanit.
“Mund ta duartrokasim sa të duam kryetarin apo atë që mbështet kryetarin por dhe 4 vjet të tjera jemi në opozitë. Duhet të kemi shpresë të fitojmë pas 4 vjetëve dhe jo të vijmë prapë këtu si sot”, tha Arben Ristani, një tjetër kritik i Bashës..
“Nga Rama nuk presim asgjë tjetër. Rama i tillë mbetet. Kryetari ka thënë se “po ma hodhe njëherë është faji jot, po ma hodhe dy është faji im. Tani meqë ta hodhi dy herë, ik. Ke humbur tre herë. Dhe një herë që fitove e dimë të gjithë si fitove. Më duket i nxituar dhe i shpejtë ky proçes. Më duket si projektuar për të mbaruar punë shpejtë e shpejtë. Me këtë mënyrë drejtimi do humbasim prapë. PD duhet të bëhet demokratike. Rama nuk mundet me të njëjtin model. Mundet vetëm me modelin e demokratit, duke i nxjerrë njerëzit në zgjedhje dhe duke i frymëzuar ata.
Le ta nisim analizën por nuk ecet kështu. Vijnë zgjedhjet lokale dhe kam frikë se do humbasim prapë”, tha Ristani, që është pjesë e grupit anti-Basha, që i kërkon atij dorëheqjen.
Ndërkohë Këshilli Kombëtar zyrtarizoi në mbrëmje vonë propozimin e kryesisë që zgjedhjet për kryetarin e ri të PD-së të mbahen në 13 qershor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)






Lini një Përgjigje