Bordi i kompanisë “Microsoft” vendosi në vitin 2020 që Bill Gates duhej të hiqte dorë nga drejtimi i presidencës. Vendimi u mor pas një hetimi për shkak të marrëdhënieve sentimentale që Gates dyshohet se kishte prej disa vitesh me një punonjëse të kompanisë, e gjykuar si e papërshtatshme, raporton gazeta amerikane, “Wall Street Journal”.
Bordi i drejtorëve të “Microsoft”, thotë “WSJ”, punësoi një firmë ligjore në fund të vitit 2019 për të hetuar Gates, pasi një punonjëse pretendoi në një letër se ajo kishte pasur një marrëdhënie seksuale me themeluesin e kompanisë për vite me radhë.
Gjatë hetimit, disa anëtarë të bordit menduan se nuk ishte më e përshtatshme që Gates të ishte pjesë e tij. Gates, sipas “WSJ, dha dorëheqjen përpara se të përfundonte hetimi.
Zëdhënësi i miliarderit dhe filantropit, pranon duke folur për “WSJ” se “kishte një marrëdhënie romantike gati 20 vjet më parë që përfundoi miqësisht”, por thekson se vendimi për t’u larguar nga bordi “nuk ishte aspak i lidhur me këtë çështje”.
Lamtumira e Gates nga “Microsoft”, shton zëdhënësi, “ishte e lidhur me dëshirën për të pasur më shumë kohë për aktivitete filantropike”.
Tani është e qartë se vendimi për t’i dhënë fund një martese 27-vjeçare me bashkëshorten e tij – njoftimi në Twitter daton nga 3 maj – nuk përmblidhet vetëm me frazën “ne nuk besojmë më se mund të rritemi së bashku si çift në fazën tjetër të jetës sonë”.
Ka arsye konkrete pas kërkesës së Melindës për divorc. Dhe, mbi të gjitha, nuk ishte një vendim impulsiv. Gjithmonë ishte “Wall Street Journal” që zbuloi se që në tetor 2019, gruaja kishte kontaktuar avokatët e divorcit për të diskutuar të ardhmen e saj.
Duket se shembulli i mikeshës së saj MacKenzie Scott, e cila, pasi u nda nga Jeff Bezos, filloi një jetë të re dhe një aktivitet të ri filantropik falë miliardave të shitura nga ish-burri i saj, e motivoi Melindën të largohej përgjithmonë nga Gates.
Me sa duket, Bill dhe Melinda kanë diskutuar marrëveshje financiare për muaj me radhë. Dhe që në ditët e para pas njoftimit të divorcit, themeluesi i “Microsoft” (vlerësimi i pasurive: 146 miliardë) tashmë i ka transferuar asete të ndryshme gruas së tij për një vlerë prej rreth 2.5 miliardë dollarë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)













Lini një Përgjigje