Ne rrjet

Kush mund ta ndalë luftën Izrael-Hamas?

Gjatë 50 ditëve të luftës në verën e vitit 2014 midis Hamasit në Gaza dhe Izraelit, kishte 7 armëpushime. I pari ishte më 14 korrik, një javë pas fillimit të konfliktit. Armëpushimi nuk mban dhe luftimet vazhdojnë deri në fund të gushtit.

Ndalesat e tjera për bombardimet dhe lëshimet e raketave izraelite nga grupet fondamentaliste, janë bërë pothuajse të gjitha për arsye humanitare brenda Rripit të Gazës: 5-12 orë pa shpërthime, pa shpresuar se lufta ka mbaruar.

Konfliktet e mëparshme zgjatën më pak: ai i 2008-2009 24 ditë, në 2012-ën ishin 8, që nga ajo kohë përleshjet përfunduan në 48-72 orë.

Në 2014-ën, betejat vazhduan për kaq shumë kohë, sepse ndërmjetësit kryesorë të këtyre mosmarrëveshjeve të armatosura – egjiptianët – nuk kishin ndonjë interes të veçantë për të ndaluar pretendentët. Për shërbimet sekrete të Kajros, operacionet ushtarake izraelite po dobësonin një fqinj të bezdisshëm.

Hamasi përfaqëson një pjesë të Vëllezërve Myslimanë, që Abdel Fattah Al Sisi përndjek në Egjipt dhe kështu ata e lanë Izraelin të bëjë punën ushtarake për ta, ndërsa vazhduan të shpallnin publikisht përpjekjet e ndërmjetësimit, një mënyrë për të qetësuar botën arabe.

Në këto ditë, egjiptianët përsëri po kryejnë negociatat e para, ata kanë qenë në Tel Aviv dhe po kërkojnë një pushim nga bombardimet izraelite për të qenë në gjendje të hyjnë në Gaza. Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka nisur prej ditësh diskutimet.

Kina, Tunizia dhe Norvegjia kishin kërkuar një samit të premten e kaluar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nxitën për shtyrjen, “sepse kaq shpejt nuk do të ishte e dobishme”.

Përkundër thirrjeve dhe dënimeve të sekretarëve të përgjithshëm të kaluar dhe të tanishëm, nuk ishte OKB-ja që i ndaloi këto luftëra.

Pesha personale që Nickolay Mladenov kishte deri në vitin 2020, si koordinator special për procesin e paqes në Kombet e Bashkuara të Lindjes së Mesme, është e ndryshme: ai u dëgjua dhe respektua nga të dyja palët, një nga përfaqësuesit e paktë të OKB-së që izraelitët nuk e kanë keqtrajtuar.

Norvegjezi Tor Wennesland, mori postin në janar dhe tashmë perceptohet me dyshim nga qeveria në Jeruzalem: për pozitat e vendit të tij dhe për rolet diplomatike të mbajtura si ambasador në Autoritetin Palestinez, në Egjipt dhe Libi.

Evropa nuk duket më në gjendje të ushtrojë presion ndaj askujt, Shtetet e Bashkuara tani për tani po konfirmojnë linjën e Obamës dhe po kufizojnë ndërhyrjet.

Në dy-tre vitet e fundit, Katari ka okupuar hapësirat politike të lëna nga egjiptianët në Rripin e Gazës. Aq më tepër tani, që embargo e vendosur nga vendet e tjera të Gjirit kundër këtij emirati të vogël, është anuluar.

Është Katari – me valixhet e ngarkuara me miliona dollarë – ai që ka zgjidhur krizat e mëparshme dhe është pikërisht Katari ai që pret disa udhëheqës të Hamasit.

Me miratimin e qeverisë Netanjahu, ai subvencionoi fondamentalistët në Gaza dhe në fakt pagoi për ruajtjen e qetësisë: nga marshimet e palestinezëve drejt pengesës kufitare, deri në nisjen e sulmeve.

Katari – megjithëse është akuzuar nga vendet arabe dhe nga Trump për sponsorizimin e terrorizmit sunit – është monarkia e vetme e Gjirit që ka mbajtur të hapura marrëdhëniet me Iranin shiit, një rrugë dialogu që mund të shërbejë për të marrë një armëpushim zjarri: ajatollahët mbështesin Xhihadin Islamik Palestinez dhe janë afruar me Hamasin.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë