Për të kuptuar se si është pritur në PD vendimi i DASH për Sali Berishën mjafton t’i hedhim një sy rrjeteve sociale të disa prej bashkëpunëtorëve të Berishës që punojnë edhe me Bashën dhe atyre që nuk kanë lidhje me epokën “Berisha”, por që janë produkt i kryetarit aktual.
Nga një shikim i përgjithshëm vërehet se ka një reagim të qartë nga ish-bashkëpunëtorët e Sali Berishës, që ende “militojnë” në PD së fundmi edhe me mandatin e deputetit.
Pa u mbushur 24 orë nga shpallja “non grata” e DASH për Sali Berishën dhe familjen e tij kanë filluar edhe zërat e parë të pakënaqur me këtë vendim.
Xhelal Mziu që drejtoi zgjedhjet në qarkun e Dibrës ka ndarë në faqen e tij Facebook deklaratën e Sali Berishës, më pas edhe reagimin e Lulzim Bashës për të njëjtën cështje.
Albana Vokshi një tjetër bashkëpunëtore e Berishës që sot ka marrëdhënie të mira edhe me Lulzim Bashën ka folur edhe më gjatë.
“Prill 2012: ‘Është një nder të mirëpres Kryeministrin e Shqipërisë Sali Berisha në Departamentin e Shtetit. Kryeministri dhe vendi i tij kanë qenë partnerë të fortë me SHBA në NATO…’ Hillari Klinton
Sekretare e Departamentit të Shtetit
9 vjet më pas:
Demokracia dhe shteti ligjor në Shqipëri nuk rrezikohen nga retorika e një politikani pa pushtet, qoftë ky edhe Sali Berisha, por nga aleanca mes Edi Ramës dhe politikanëve që drejtësinë, krimin dhe taksat e shqiptarëve i përdorin për të mbajtur në këmbë një pushtet që nuk ka asgjë të përbashkët me vlerat dhe demokracinë e popullit amerikan”, shkruan Albana Vokshi ne faqen e saj Facebook duke publikuar edhe një foto të Sali Berishës me ish-sekretaren amerikane të Shtetit.
Më herët ajo kishte shpërndarë reagimin e Lulzim Bashës për të njëjtën cështje.
Edhe Edi Paloka një tjetër bashkëpunëtor i Berishës ka bërë një reagim në Facebook përmes fotosh, duke qenë në një linjë me Berishën se ky i fundit u shpall “non grata” për shkak se ishte kundër ndarjes së kufijve të Kosovës dhe së në mes ishin interesat serbe.
Ndër të paktët ish-bashkëpuëntorë të Berishës që nuk ka bërë asnjë reagim për vendimin e DASH është Flamur Noka. Të paktën deri të enjten në mesditë, postimi i tij i fundit ishte për festën e Fiter Bajramit.
Edhe Grida Duma që më parë ka punuar me Berishën, por që sot është rreshtuar fort në krah të Lulzim Bashës, deri të enjten në mesditë, rezulton se nuk ka shpërndarë njoftim dhe as reagimet e Bashës apo Berishës lidhur me vendimin e DASH.
Nuk e ka bërë këtë gjë edhe një tjetër deputet “produkt” i Lulzim Bashës dhe që ka kundërshtuar fort qeverinë “Berisha”, Ervin Salianji.
Jorida Tabaku në anën tjetër ka shpërndarë vetëm reagimin e Bashës.
Sali Berishën e ka përshëndetur me qëndrimin e tij duke e shpërndarë në Facebook edhe ndonjë kryetar partie në degë që ka punuar edhe me të si Luan Baci, kryetar i PD-së së Fierit.
. Por një tjetër kryetar partie dege prej vitesh, Luçiano Boçi, nuk e ka bërë këtë gjë. Postimi i tij i fundit është për festën e Bajramit.
Ajo që vihet re në qëndrimet e politikanëve demokratë në Facebook është se ndryshe nga fushata zgjedhore kur ishin të detyruar të shpërndanin cdo gjë lidhur me aktivitetin e Bashës, kësaj here është lënë në zgjedhjen e secilit që ta bëjë, (pra të shpërndajë ose jo reagimin e ish-liderit historik Sali Berisha dhe kryetarit aktual Lulzim Basha) dhe jo me urdhër partie.
Një xhonglim ky i njohur i lëvizjeve të Bashës…Të paktën deri të enjten në mesditë kështu rezulton.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje