Bota

Plagjiaturë në doktoratë, në Gjermani ministrja e Familjes jep dorëheqjen

Telashe në Partinë Socialdemokrate gjermane. Sikur të mos mjaftonte kolapsi në sondazhe, vakumi programor dhe “errësira” e kandidatit të tij për kancelar, Olaf Scholz, një tjetër problem godet SPD-në: e dyshuar për plagjiaturë në hartimin e tezës së saj të doktoratës, ka dhënë dorëheqjen ministrja e Familjes, Franziska Giffey, ndoshta fytyra më e re dhe më premtuese e Partisë Social Demokrate.

Sidoqoftë, karriera e Giffey-t nuk mbaron këtu, pasi ministrja tha se ajo ishte e vendosur të mbetej një kandidate e SPD-së për zyrën e shefes administratave komunale të Berlinit në zgjedhjet e 26 shtatorit, që zhvillohen në njëjtën datë me ato federale.

“Unë e pranova vendimin me respekt dhe keqardhje”, – tha kancelarja Angela Merkel, e cila falënderoi Giffey “për bashkëpunimin e shkëlqyer në qeveri”. Posti i saj pas dorëheqjes iu besua përkohësisht ministres së Drejtësisë, Christine Lambrecht, gjithashtu një social- demokrate.

Afera e “Doktorarbeit”, filloi në vitin 2019, një vit pas emërimit si ministre të Giffey, e cila ishte kandidate për kryetare të Neukölln, një nga lagjet më problematike në Berlin.

Ministrja u akuzua nga platforma në internet “VroniPlag Wiki”, se kishte përdorur disa citime pa i atribuuar ato në tezën mbi funksionimin e Evropës, e cila në vitin 2010 i kishte dhënë asaj një doktoratë në shkencat politike nga Universiteti i Lirë i Berlinit.

Dy kontrolle të para të brendshme u zgjidhën me një pafajësi plot me dyshime: universiteti e kishte autorizuar atë për të mbajtur titullin, por kishte shprehur një keqardhje, duke mbajtur gjallë dyshimet dhe kërkesat për dorëheqje.

Duke shpresuar të zbusë polemikat, Giffey kishte thënë se nuk do të vendoste më termin “Doktoreshë” para emrit të saj.

Por tani, rezultatet e një verifikimi të tretë do të zbulohen: “Në ditët e fundit, – tha Giffey, – ka pasur diskutime të reja mbi tezën time. Qeveria, partia ime dhe opinioni publik kanë të drejtë për qartësi, prandaj i kërkova kancelares të më lirojë nga detyrat e mia. Unë konfirmoj se e kam shkruar punën time me mirëbesim, me sa kam mundësi dhe ndërgjegje dhe më vjen keq nëse kam bërë gabime”.

Plagjiatura në punën akademike duket se është karma e politikës gjermane. Për të njëjtën arsye, ministri i Mbrojtjes, Karl-Theodor zu Guttenberg, i konsideruar si një pasardhës i mundshëm i Merkelit, dha dorëheqjen në vitin 2011 dhe në 2013-ën, ministrja e Edukimit dhe një besnike e kancelares, Annette Schavan.

Një tjetër deputet i CDU-së, Frank Steffel, iu hoq doktorata në 2017-ën: ai nuk dha dorëheqjen, por njoftoi largimin e tij nga politika në fund të mandatit.

Në 2015-ën, “VroniPlag Wiki” gjithashtu kishte ngritur dyshime në lidhje me ministren e Mbrojtjes të atëhershme dhe presidenten aktuale të Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, por një auditim nga Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit të Hanoverit e kishte shpallur të pafajshme, pavarësisht “boshllëqeve të dukshme” në citimet që përmbahen në doktoratën e saj.

Për SPD-në, ajo e Giffey-t, është një tjetër goditje në funksion të zgjedhjeve federale. Megjithatë, popullariteti i ish-ministres së Berlinit, është i tillë që mund të mos i minojë ambiciet e saj politike në të ardhmen.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë