Kritikët e Lulzim Bashës të njohur ndryshe si grupi “Për PD”-në e konsideron 13 qershorin një datë “në shkelje të hapur të kërkesave për një garë të ndershme, të besueshme dhe të dobishme për vetë Partinë Demokratike“.
Edhe pse nuk e përmendin me emër direkt, grupi për PD-në le të kuptojë se shtyrja e zgjedhjeve duhet të bëhet edhe për shkak të zhvillimeve politike që lidhen me shpalljen “non grata” të Sali Berishës nga DASH.
“Ne, pjesëtarët e grupit “Për PD”, në Partinë Demokratike, në vijim të Deklaratës sonë dt. 17 maj 2021, mbetemi të bindur dhe ripohojmë se: “Nxitimi për hapjen e zgjedhjeve nuk ka për qëllim analizën dhe reformimin e partisë, por eleminimin e debatit në radhët e partisë dhe të një gare të hapur. Vendimi i Këshillit Kombëtar për hapjen e parakohshme të zgjedhjeve është i pajustifikuar.”, thuhet në kërkesën e përbashkët.
Për këtë arsye, kritiket e Bashës kërkojnë:
“Shtyrja e datës për zgjedhjen e Kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, caktuar për në datën 13 qershor 2021.
Mbetemi të bindur dhe gjykojmë me përgjegjësi se caktimi i datës 13 qershor 2021 për zgjedhjen e kryetarit të partisë, është në shkelje të hapur të kërkesave për një garë të ndershme, të besueshme dhe të dobishme për vetë Partinë Demokratike. Një vendim i tillë paragjykon, ende pa filluar gara zgjedhore, rezultatin e saj!
Aq më tepër dhe sidomos sepse një afrim i tillë i datës, duke ju shmangur datës 22 korrik 2021, të parashikuar nga Statuti i Partisë Demokratike të Shqipërisë si data më e afërt për zhvillimin e zgjedhjeve, nuk bazohet në asnjë përcaktim statutor dhe/ose nevojë të qenësishme, të kushtëzuar nga gjendja dhe zhvillimet politike.
Përkundrazi, gjykojmë se mundësimi i shtyrjes së datës së zgjedhje dhe zhvillimit të fushatës zgjedhore për kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë në një kohë politikisht më të përshtatshme, duke pasur parasysh zhvillimet, është në dobi jo vetëm të Partisë, por edhe të vendit dhe të kombit tonë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje