Në konferencën e paralajmëruar për shtyp, ish-kryeministri dhe lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ende pa u ulur mirë në një nga sallat e Hotel “Rogner” dhe jo selisë blu tha se kishte marrë vendimin më të pazakontë, por i iniciuar “nga nevoja për të mbrojtur dinjitetin e tij”.
Ai tha se ka hedhur në gjyq Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, si firmëtar i shpalljes “non grata” të emrit të tij.
Berisha tha se e ka paditur sekretarin amerikan Blinken për shpifje dhe se për këtë padi ai ka punësuar një avokat francez për tu shqyrtuar e gjithë padia në Gjykatën e Parisit në pamundësi për ta bërë këtë gjë në një gjykatë të SHBA.
Berisha u pyet disa herë, por nuk dha përgjigje se sa dhe kush do ta paguajë avokatin francez
“Zoti Blinken mundet të pretendojë se si pas rregullave si ministër i punëve të jashtme, ai përfiton nga imuniteti, kjo është gënjeshtër. Imuniteti sot vlerësohet nga gjykatat në një mënyrë relative, çka do të thotë se sekretari Blinken është i mbrojtur nga imuniteti kur ai kryen akte normale në ushtrimin e funksionit, por duke filluar nga momenti kur Blinken bëhet autori i një komedie dhe montazhi politik për të më dëmtuar mua, kjo nuk hyn në funksionet e një ministri. Pra sipas avokatit tim që unë kam konsultuar zoti Blinken nuk është i mbrojtur me asnjë imunitet ndaj dhe do ta padis dhe do të dënohet nga gjykata e Parisit në të cilën është ngritur padia nga avokati im.
Një vendim ky i paparashikuar ndonjëherë në jetën time, një admirues i pakufishëm i vendit të madh të lirisë, aleatit kryesor të kombit shqiptar. Çështja e dinjitetit është çështja më thelbësore e njeriut. Nëse i prek tjetrit nderin dhe dinjitetin ti e zhvlerëson atë për vetën e tij, familjen dhe miqtë dhe komunitetin ku jeton. Unë kam qenë president i Republikës, kryeministër dhe kam qenë përgjegjës për dinjitetin e këtij populli dhe jam përpjekur të bëjë gjithçka për nderimin e këtij dinjiteti. Sot jam qytetar privat dhe jam përgjegjës për dinjitetin tim…”, tha Berisha.
Ai tha se që nga dita që ka firmosur për herë të parë në bordero e deri tani ai nuk është akuzuar asnjëherë nga drejtësia për asnjë akt korruptiv
Ish-kryeministri nuk e vuri gishtin se kush ishte iniciatori i këtij vendimi, por tha se provat janë gatuar në zyrat e Edi Ramës.
I pyetur nëse do të lërë mandatin e deputetit, Berisha tha ndër radhë: “Nëse Sekretari i Shtetit do të paraqiste prova do të konsideroja çdo gjë, natyrisht jo prova të montuara në Tiranë në zyrat e Edi Ramës. Le të nxjerrin prova. Unë kam hapur gjyq e t’i paraqesin para gjykatës. Ai është diplomati më i fuqishëm në botë unë qytetar privat, por besoj tek drejtësia. Unë kërkoja që paraqiteshin prova kundrejt meje, por një gjë e tillë nuk u bë, prandaj do të këmbëngul që të paraqiten prova në gjykatë”.
Jo vetëm që nuk do të lërë mandatin i pyetur disa herë nga media, por Berisha tha se pas vendimit të gjyqit, ai do t’i kthehet politikës dyfish.
Berisha la jashtë kësaj cështje grupin parlamentar demokrat dhe e konsideroi normale reagimin e Lulzim Bashës dhe po ashtu edhe heshtjen e Ilir Metës.
“Është normale që Ilir Meta të mos prononcohet për këtë rast dhe nuk ka pse e bën. Unë prononcohem vetë siç dhe e shikoni”, tha Berisha.
I pyetur nëse e akuzon George Sorosin për vendimin e DASH, ai u përgjigj se ka rezistuar ndaj një projekti për ndryshimin e kufijve në Ballkan.
“Jo nuk e them që është George Soros por them se kam qenë i pari që kam kundërshtuar ndarjen e Kosovës dhe ndryshimin e kufijve. Ishte bërë një lobim aq i fuqishëm sa ju nuk mund ta imagjinoni. Por interesi i vendit tim e kërkonte që unë të thosha atë që mendoja. Unë kam qenë një prej njerëzve me qëndrimin më të fortë në luftën kundër drogës”, tha Berisha.
Ai tha gjithashtu se PD-ja duhet mbajë marrëdhënie të mira me ambasadoren amerikane në Tiranë, Yuri Kim. “Qëndrimin më të mirë të mundshëm që është natyrisht. Unë jam për marrëdhënie të mira, shumë të mira, por vetëkuptohet që harmonizimi i platformave dhe objektive është një çështje që kërkon kohë”, tha ai.
Ish-kryeministri nënvizoi gjithashtu se një bashkëqeverisje me Edi Ramën do të ishte një fatalitet si dhe mbrojti ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu dhe Presidentin Ilir Meta për dy etapat më kritike ndaj tyre. Berisha tha se për asnjë nga rastet ai nuk ka ndërhyre.
“Sali Berisha është autor i heqjes së imuniteteve në këtë vend. Ish-ministri Fatmir Mediu pas ndodhisë në Gërdec i kemi hequr imunitetin. Çfarë ndërhyrje qenka kjo? Heqja e imunitetit qenka ndërhyrje? Çfarë ndërhyrje qenka për Ilir Metën kur ai hoqi vetë dorë nga imuniteti dhe kërkoi hapjen e procesit. Ndërhyrje është pengimi me imunitet apo mospengimi me imunitet?“
Berisha e tha disa herë se PD nuk ka pse të ndihet në vështirësi se pse ai nuk po lë mandatin e deputetit, sa kohë që ai ka pajtuar një gjykatë neutrale për të bërë drejtësi.
Ai u shpreh gjithashtu se familjarët e tij kanë respektuar ligjin dhe se ndaj tyre janë adresuar vetëm akuza por asnjë proces apo padi penale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)












Lini një Përgjigje