Bota

Parlamenti Europian “ngrin” investimet Kinë-BE

Parlamenti Europian votoi ditën e enjte për “ngrirjen” e marrëveshjes të investimeve mes BE-së dhe Kinës.

Vendimi erdhi si pasojë e sanksioneve të vendosura nga Kina ndaj pesë europarlamentarëve, lëvizje kjo që autoritetet kineze ndërmorën pas sanksioneve të vendosura nga Bashkimi Europian për katër zyrtarë kinez të lidhur me kampet e punës dhe të përqendrimit për Jugorët kinezë.

“Praktikisht kjo rezolutë e vendos marrëveshjen tregtare në një status të ngrirë dhe ne kërkojmë që Kina të heqë sanksionet para se Parlamenti Europian të marrë në konsideratë ekzekutimin e marrëveshjes me Kinën”, tha europarlamentari gjerman Reinhard Bütikofer.

Europarlamentarët kërkojnë mbështetjen e Komisionit Europian dhe shteteve anëtare.

“Pres që këshilli të përfshijë këtë rezolutë dhe të dënojë sanksionet në përfundimet e tij, kur të konsiderohen politikat e jashtme me Kinën. Mendoj se duhet dhënë një sinjal solidariteti nga Këshilli për Parlamentin Evropian, pasi kjo nuk është vetëm betejë e parlamentit. Ne po luftojmë një betejë evropiane”, u shpreh Reinhard Bütikofer.

Edhe pse marrëveshja e investimeve midis Kinës dhe Bashkimit Europian është larg ratifikimit, PE po jep një mesazh të fortë mbi qëllimet e tij. Analisti Fabien Zuleg thotë se shtetet anëtare por rikonsiderojnë marrëdhëniet e tyre me Kinën:

“Nuk ka të bëjë vetëm me vendimet e parlamentit, por qartësisht sanksionet, dhe kundër-sanksionet, situata ndërkombëtare në përgjithësi po bëjnë që shtetet anëtare të marrin në konsideratë se çfarë marrëdhënie do të mbajnë ndaj Kinës dhe si do ti çojnë gjërat përpara”, tha Fabien Zuleeg nga Qendra Evropiane për Politikat e Jashtme.

Nuk dihet ende nëse Kina do të zgjedhë t’i përgjigjet akuzave të Parlamentit Europian, por marrëdhëniet mes BE-së dhe Kinës ka të ngjarë të jenë te tensionuara për muaj me radhë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë