Komisioni Hetimor parlamentar i ngritur për shkarkimin e Ilir Metës kërkoi ndihmën e dy ekspertëve konstitucionalistë nëse në këndvështrimin e tyre shkeljet kushtetuese të Presidentit klasifikohen si të rënda dhe justifikuese për shkarkimin e tij, apo jo.
Një përgjigje me “po”, ose “jo” ekspertët thanë se nuk mund ta jepnin, por përmes shembujve nga Moldavia, Koreja e Jugut, Polonia dhe interpretimet te gjykatave kushtetuese e Komisionit të Venecias ndihmuan anëtarët e Komisionit që të vlerësonin vetë masën e këtyre shkeljeve.
“Në një republikë parlamentare, qasja e Presidentit duhet të jetë neutrale në mënyrë që të ndërmjetësojë krizat në raste të caktuara”, tha eksperti, Erind Mërkuri.
Mërtiri tha se në kuptimin e ngushtë të fjalës, Presidenti nuk është garant i Kushtetutës, por Gjykata Kushtetuese.
“Presidenti është garant i Kushtetutës si çdo institucion tjetër në Shqipëri. Se kush duhet të jetë garant është një debat i vjetër. Por, në kuptimin e gjerë jemi të gjithë garantë të Kushtetutës, në kuptimin e ngushtë garante e Kushtetutës është Gjykata Kushtetuese”, tha ai.
Në lidhje me paanësinë në zgjedhje, eksperti Mërkuri solli një vendim të Gjykatës Kushtetuese koreano-jugore.
“As fakti që Presidenti është një person publik i një natyre politike, që zgjidhet dhe mbështetet nga një parti dhe as fakti që lejohen disa aktivitete politike dhe partiake të Presidentit nuk mund të shërbejnë si bazë e vlefshme për mohimin e detyrimit të Presidentit për të respektuar neutralitetin politik në lidhje me zgjedhjet”, tha Mërkuri.
Komisioni do të mblidhet sërish ditën e hënë dhe brenda javës tjetër do të përmbyllë raporton që do të dorëzojë në seancë plenare për t’i propozuar Kuvendit shkarkimin, ose jo të Presidentit Ilir Meta.
Nëse seanca voton me mbi 94 vota pro shkarkimit, atëherë çështja shkon në Gjykatën Kushtetuese, e cila jep vendimin përfundimtar për shkarkimin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje