Rezultatet e javës së 35-të të Superiores kanë favorizuar Teutën dhe titulli kampion, një javë para fundit të kampionatit, duket se është nisur drejtn Durrës. Teuta barazoi në Laç dhe kryeson renditjen me pikë të barabarta me Vllazninë, ndërsa kjo e fundit mundi Partizanin në Tiranë dhe e spostoi atë në vend të tretë. Javën e fundit Teuta pret Apoloninë e rënë nga kategoria, Vllaznia pret Lacin dhe Partizani shkon në fushën e Bylisit, që lufton për mbijetesë.
Një fund kampionati mjaft emocionues dhe intrigant, por edhe me shumë akuza dhe polemika nga kampi i Partizanit. Ndeshjen e luajtur të shtunën në “Air Albania” e vendosi një penallti i akorduar nga ndërkombëtari Enea Jorgji në pjesën e dytë për prekje me dorë të topit nga Belica. Një penallti shumë e diskutueshme dhe që është kontestuar fuqishëm nga drejtuesit e Partizanit për vetë faktin se vendosi rezultatin, që i heq praktikisht këtij ekipi titullin kampion nga duart.

Reagimet kanë qenë të shumta, që nga trajneri Ilir Daja pas ndeshjes, duke sjellë në vëmendje skandalin e disa viteve më parë në Kukës po me gjyqtarin Enea Jorgji, i cili i mohonte një tjetër titull kryeqytetasit. Akuza për ndikim në rezultat kanë lëshuar edhe presidenti i ekipit Gaz Demi dhe drejtori Olsi Rama. Ata kanë dyshime të forta se penalltia u dha pas një komunikimi në kufje dhe një “urdhëri”, sepse arbitri e akordoi atë një minutë e gjysmë pas episodit.
Nuk mund të mungonte në këtë histori zëvendëskryeministri Erjon Braçe, i cili në Facebook sulmon atë që e quan sistemin kriminal të Dukës. “Shiheni: Dora e Belicës është ngjitur me trupin, mbron hijen! Arbitri i Armando Dukës, Enea Jorgji është qartësisht në fushëpamje, e sheh qartë fare. Arbitri i Armando Dukës, Enea Jorgji nuk vendos, por i kërkon mendim anësorit, arbitrit të Armando Dukës, Kreshnik Bajramajt, që është në krahun tjetër, as sheh gjë hiç.

Nuk vendosin e presin, por kë presin? Kë? Pas tre minutash, ku as kanë ekran të shohin, pra as VAR e as shkojnë kund të shohin rastin, vendosin penallti! Tani shiheni prapë. A është dorë e hapur kjo? Jooooooo! Fare! Kjo është ndyrësira që nuk nis e mbaron tek Enea Jorgji. Është një sistem i tërë kriminal, brenda të cilit është dhe televizioni, që pastron llumin që konsumohet në fushë! Neveri, neveri! Mllefi ndaj një ekipi që është i vetmi që luan drejt në këtë vend, prodhon këtë neveri qelibar siç thotë llumi i llumit te televizionit!”, – shkruan Braçe.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje