“Defender 21 Europe” bëri bashkë në të njëjtin shesh Presidentin Ilir Meta, Kryeministrin Edi Rama dhe Ambasadoren e SHBA në Tiranë, Yuri Kim.
Meta dhe Rama shmangën mesazhet mbi zhvillimet e fundit politike në vend, ku Sali Berisha është shpallur i padëshirueshëm në SHBA, ndërsa Meta e mori në mbrojtje duke akuzuar se ky vendim i DASH është ndikuar nga ai që e quajti “regjimi kleptokratik i Tiranës”.
“Shkëmbimi i eksperiencës nga Forcat tona të Armatosura dhe trupave Amerikane do i shërbejë rritjes së aftësive të trupave tona. Ne kemi shpalosur mikpritjen dhe besnikërinë tonë tradicionale. Kjo stërvitje do të vijojë të jetë e suksesshme. Shpreh falënderimet për kontributin e SHBA-ve dhe vendeve të tjera aleate, që zgjodhën vendin tonë si vendi pritës. Si vend anëtarë i NATO-s jemi krenarë. NATO është aleancë e madhe, për popullin shqiptar. Në përfundim dua të përgëzoj Forcat tona të Armatosura, për profesionalizmin e treguar, e kanë shërbyer me gatishmëri, për t’u përgjigjur situatave dhe detyrave që burojnë nga Kushtetuta, por edhe aleanca jonë e NATO-s”, tha Presidenti Ilir Meta.
Presidenti e shmangu në këtë fjalim përmendjen e Ambasadores Yuri Kim, ndërsa Rama e vlerësoi.
“Dua t’i bëj një falënderim të posaçëm përfaqësueses së Qeverisë së SHBA-ve në Shqipëri, ambasadores Yuri Kim e cila me përkushtimin e saj mbresëlënës i ka dhënë një cilësi të re marrëdhënieve mes dy shteteve duke u përfshirë në vetë të parë në mbështetjen e kërkesave dhe të nevojave të vendit tonë qoftë në forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes, qoftë të kapaciteteve tona të drejtësisë”, tha Kryeministri.
“Përshëndetje Presidenti Meta, Kryeministër Rama, burra dhe gra, miq e kolegë. Është një moment historik për aleancën e NATO-s. Kam pasur mundësi të vizitoj trajnimet në Shqipëri, në çdo vendndodhje është që shoh shqiptarë dhe amerikanë që punojnë së bashku dhe po njihen me njëri-tjetrin. Kjo stërvitje do të forcojnë lidhjet tona për të ardhmen. Aleanca mes Shqipërisë dhe SHBA është mbi të gjitha”, tha Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje