Futboll

Video/ Milani i dyti dhe Juventusi në Champions, Napolin e djeg Verona

Milani dhe Juventusi në Champions, Napoli jashtë. Këto janë verdiktet e javës së fundit të Serisë A, ku Juventusi dhe Pirlo duhet të falënderojnë Veronën, sepse u ka shpëtuar sezonin. Atalanta, pas humbjes me Milanin, e mbyll në vend të tretë kampionatin. Gatuzo pa Champions do të thotë lamtumirë nga Napoli.

Ndeshja vendimtare në Bergamo është vendosur nga dy penallti të kthyera në gol nga Frenk Kesi. Fitorja 0-2 e ngjit skuadrën kuqezi në vend të dytë dhe e kthen në Ligën e Kampionëve pas 7 vitesh. Trajneri Stefano Pioli ka përmbushur misionin në një ndeshje shahu, në një 90-minutësh shumë të vështirë. Me zemër dhe krenari Milani ka mbyllur suksesshëm një sezon pozitiv.

Iu desh të djersinin shumë kuqezinjve në sfidën përballë Atalantës së Berat Gjimshitit, 90 minuta në fushë. Ata kaluan në epërsi me një penallti të fituar në fundin e pjesës së parë, e 19-ta për Milanin në kampionat dhe ky është një rekord për Serinë A. Teo Hernandez u rrëzua nga dyshja Mahele-Romero dhe nga pika e bardhë monumentali Frenk Kesi nuk gaboi. “Presidenti”, siç e thërrasin te Milani, dyfishoi po me penallti në kohën shtesë dhe më pas ishte koha për festë.

Ka festuar edhe Juventusi, që ka bërë detyrën në fushën e Bolonjës, duke fituar 1-4, por për vendin e 4-t, i fundit që të çon në Champions, duhet të falënderojë Veronën, që barazoi 1-1 në fushën e Napolit, duke i hequr këtij të fundit “biletën” për në kompeticionin prestigjioz të klubeve. I kotë goli i Amir Rrahmanit në “Maradona”.

Napoli shkon në Ligën e Europës, kurse në Ligën e Konferencës do të marrin pjesë Lacio dhe Roma. Strakosha luajti titullar në ndeshjen me Sasuolon, ku Lacio u mund 2-0. Po ashtu, edhe Kumbulla ishte titullar në barazimin 2-2 të Romës në fushën e Specias së Ismajlit, që ishte në stol. Në Serinë B zbresin Benevento, Krotone dhe Parma.

Seria A, java e fundit
Inter-Udineze 5-1
Atalanta-Milan 0-2
Bolonja-Juventus 1-4
Napoli-Verona 1-1
Sasuolo-Lacio 2-0
Specia-Roma 2-2
Torino-Benevento 1-1
Kaljari-Xhenoa 0-1
Krotone-Fiorentina 0-0
Sampdoria-Parma 3-0


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë