Agron Shehaj që ka shpallur kandidaturën për kryetar të PD-së, tha përmes një konference për shtyp se, ai ka vetëm një arsye që është futur në garë; Humbja e zgjedhjeve të PD-së dhe fakti se Basha nuk mund ta cojë PD në fitore.
“Basha nuk e çon dot PD në fitore është bindje e imja, e kuptoj që shumë prej jush mund të kërkojnë arsye të ndryshme, por është shumë e thjeshtë. Nëse duam që PD të fitojë zgjedhjet pastaj të ndryshojë Shqipërinë duhet të ndryshojë lidershipin e PD”, tha Shehaj
“PD duhet të ndryshojë sot që të jetë e mundur të ndryshojë Shqipërinë nesër. Nuk do zgjidhet vetëm kryetari i ri por do të vendosin nëse duan të fitojnë ose humbasin prapë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Në 13 qershor anëtarët e PD-së nuk do të zgjedhin thjesht kryetarin e ri, por do të vendosin nëse do të fitojnë apo të humbasin prapë në 2025. Unë kam ndershmërinë, përvojën dhe aftësinë për ta çuar PD-në në rrugën e fitores. Edi Rama është i korruptuar dhe antidemokratik. Për të mundur regjimin e tij, PD dhe Shqipëria kanë nevojë për një politikan ndryshe nga ai. Të pakorruptuar. Partia jonë ka nevojë për reformë të thellë dhe të menjëhershme. Të qenurit kryetar i PD, duhet të jetë përgjegjësi dhe jo vetëm privilegj”, vijoi ai. I pyetur nëse Basha është i korruptuar, Shehaj tha jo, por la të kuptohej se kreu i PD nuk përceptohet si i tillë në publik.
Cfarë mendon ai për një bashkëqeverisje PD-PS?:
“Nëse unë do të jem kryetar i Partisë Demokratike nuk do të ketë asnjë mundësi bashkëqeverisje. Unë mendoj që përballë Edi Ramës duhet një lider dhe një njeri krejt ndryshe nga Edi Rama ku njerëzit të mendojnë se je i pa korruptuar”.
Për të fituar zgjedhjet, sipas tij, duhet reformuar PD, duhet hapur ndaj të vjetërve dhe të rinjve, vendimet duhen marrë nga anëtarë të PD, të jenë te qarta dhe transparente.
“Anëtarët duhet të vendosin për karrierën e strukturës, të liderave nëpërmjet votës. Një nga elementët kryesor do jetë votimi i listës për kandidatë i të gjithë listës përmes parimit ‘një anëtar një votë”, tha Shehaj.
Ai nuk pati koment për shpalljen “non grata” të Sali Berishës.
“Lideri historik i Partisë Demokratike ka një kontribut të jashtëzakonshëm. Sa i përket shpalljes së zotit Berisha person ‘non grata’, personalisht nuk dua të jap asnjë koment”
Shehaj tha gjatë konferencës se PD humbi për dy arsye zgjedhjet; nga djegia e mandateve dhe bojkoti i zgjedhjeve lokale. Për të dyja rastet, ai tha se ka qënë kundër.
Pikërisht për debatin brenda partisë dhe faktin nese ia kishtë kërkuar dorëheqjen Bashës pas zgjedhjeve, Shehaj tha se në PD e tanishme nuk ia vlen të shprehesh “dhe ky është një problem i madh dhe kjo duhet të ndryshojë”
A do të vijojë bashkëpunimi mes tij dhe Bashës nëse nuk fiton garën për kreun e PD-së?
“Nëse nuk më përjashtojnë po. Unë nuk kam inat personal ndaj Bashës, mua personalisht s’më ka bërë asgjë dhe mendoj qe Basha të mos ma marrë sikur po i bëj diçka personale…”, tha Shehaj, duke sqaruar më pas për mediat se “përjashtimi” ishte një forme shakaje e shprehur prej tij.
Ai tha se do të vijojë të japë kontributin për PD-në
I pyetur se cili është dallimi mes tij dhe kandidatëve të tjerë për kryetar të PD, Shehaj tha se ai është i pakompromentuar dhe se qëllimi i tij kryesor është lufta kundër korrupsionit.
“Le ta marrim nga zgjedhjet e fundit. Jam i pakompromentuar… është e vështirë të flasësh për veten. Qëllimi im kryesor është korrupsioni, qëndrimet që kam mbajtur me oligarkinë”, shtoi ai.
Shehaj tha gjithashtu se nuk i dinte kriteret për kandidatët edhe pse vetë kishte kandiduar, nuk dinte sa ishte numri i anëtarëve të PD-së me argumentin se lista e anëtarësisë nuk i është vënë në dispozicion kandidatëve dhe nënvizoi se gara ishte e pabarabartë
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje