Politike

Kadilli: S’kam rival, të lejohen fraksionet. Kryetari ose kryeministër, ose të ikë. Berisha është institucion

Ndryshe nga kandidatët e tjerë për kreun e PD-së, Fatbardh Kadilli doli nga selia blu për të shpalosur platformën e tij për drejtimin e partisë.   

Kadilli nuk sheh rivalë në këtë garë.

“Nuk kam asnjë rival as Bashën e as të tjetër, asgjë nuk propozojnë të re, janë të konsumuara dhe të dëgjuara, propozimi i ri është ky manifest politik i imi për një PD të hapur dhe fituese”, tha Kadilli, duke shtuar se ai është futur në garë për kryetarin dhe jo për të marrë numrin dy të partisë.

 Por cili ishte manifesti i propozuar nga Kadilli?

“Ndarja e rolit të Kryetarit nga administratori i Partisë: Kryetari e udhëheq politikisht partinë për katër vjet. Mandati i kryetarit mbaron automatikisht me shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve. Ai ose është Kryeministër, ose largohet.

Administrimi i Partisë do të drejtohet nga një këshill të urtësh që do të ketë mandat 6 vjeçar. Këshilli regjistron anëtarësinë, strukturat dhe drejton proceset zgjedhore në parti për forumet dhe kandidatët për Bashki dhe Parlament.

Parimi ‘një anëtar, një votë’ për zgjedhjen e çdo kryetari, nga seksioni te Kryetari i partisë. Primaret për kandidatët për Bashki dhe Parlament, të paktën një vit përpara zgjedhjeve.

Legjitimimi i fraksioneve: Çdo anëtar/e mund të krijojë ‘partinë’ e vet. Nuk të cakton askush kryetar. Merr iniciativën dhe krijo forumin tënd.

Rishikimi i Kodit Zgjedhor për të garantuar përfaqësim dhe stabilitet qeverisës;

Plotësimi i organeve të drejtësisë për një drejtësi eficiente.

Forcimi i demokracisë direkte – referendumi mjet i vullnetit të popullit; referendumi lokal ushtrimi i demokracise dhe perfshirjes;

Rishikimi i kushtetutës, ose ribërja e saj për të rivendosur në balancë institucionet e kuvendit, qeverisë dhe presidentit…”, ishin disa nga pikat e platformës së Kadillit  

A do e përjashtojë Berishën nëse bëhet Kryetar i PD?

“Unë flas për PD të përbashkuar, nuk ka PD që përjashton. Berisha është institucion, nuk është deputet. Është vetë zoti Berisha që vendos distancën e shëndetshme mes Berishës si institucion dhe institucionit të PD-së, e them këtë duke pasur parasysh se përse e bëni pyetjen”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë