Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, i cili nga zyra e shtypit e selisë blu është prezantuar si kryetar në detyrë, zhvilloi disa takime në qarkun e Beratit. Basha ftoi demokratët e Beratit, Kuçovës dhe Urës Vajgurore që ta mbështesin në betejën për ndryshim. Ai premtoi se nga gara për kryetarin, PD do të dalë më e bashkuar.
“…Me përgjegjësinë më të madhe që na kanë ngarkuar shqiptarët përkundër të gjithë kushteve të betejës së 25 prillit, jam këtu t’ju kërkoj të vazhdojmë së bashku këtë përballje. I vetëdijshëm për të gjitha çfarë kemi arritur bashkë, pavarësisht asaj dhe atyre që kishim përballë, por po kështu të gatshëm për të pranuar, për të ndrequr gjithçka që është në dorën tonë për t’u ndrequr.
Unë e di që ju e doni Partinë Demokratike të jetë e bashkuar dhe e fortë dhe ju garantoj që ky është dhe prioriteti im i parë dhe kryesor që nga kjo garë, nga ky proces i brendshëm të dalim të bashkuar dhe të fortë.
Partia Demokratike është më e madhe se gjithsecili prej nesh, duke filluar nga kryetari e deri tek anëtari më i thjeshtë dhe është edhe më e madhe se arritjet apo gabimet e gjithsecilit prej nesh, por vetëm bashkë me të gjitha arritjet dhe gabimet tona e di se mund dhe do t’ia dalim në krye për ta çuar deri në fund misionin me të cilën e kemi nisur betejën për ndryshim”, tha Basha.
Kryetari i demokratëve tha se 25 Prilli ishte një prej betejave më të rrepta, por për herë të parë, ai nuk përmendi aleancën “Rama-Doshi” në gjithë diskurin e tij politik.
Megjithatë, ai nënvizoi sërish se nuk ka bashkëpunim me Ramën.
“Gjëja e parë që kundërshtari ynë nuk do, është që ne të vazhdojmë të bashkuar dhe së bashku rrugën që kemi nisur. Keni parë, s’ka as festë, as buzëqeshje. Ka vetëm dredhira dhe diversione. Ftesa për bashkëpunim për vija të kuqe, pse? Hajduti e di krimin që ka bërë. Dhe përmes diversioneve, apo akoma më keq ftesave për bashkëpunim pa vija të kuqe, mendon se do ta hedh dhe do ta kalojë lumin. Mos t’ja japim kënaqësinë kundërshtarit që nga kjo garë që ne e bëjmë për të respektuar rregullat që na mbajnë bashkë, ta ndërpresim rrugëtimin që kemi nisur bashkë dhe që e kemi çuar shumë afër stacionit final. Le ta çojmë deri në fund këtë betejë që e kemi bërë krah njëri-tjetrit dhe ta bëjmë me të njëjtat vlera për të cilat jemi zotuar dhe me të cilat e kemi nisur. Që ne nuk përdorim shtetin, që ne nuk përdorim fondet publike për të blerë vota, ne nuk përdorim krimin për të intimiduar votuesit. Ne përdorim vetëm fuqinë e mendjes dhe të shpirtit tonë për të bindur qytetarët që ne jemi zgjidhja e problemeve të tyre të përditshme…”, tha ai
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje