Për thuajse tre orë, Komisioni Hetimor i ngritur për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta diskutoi raportin paraprak, që u prezantua nga relatorja, Klotilda Bushka. Nga fjala e mbajtur e secilit prej tyre, 9 anëtarët e Komisionit nuk kishin asnjë dilemë se Presidenti ka shkelur Kushtetutën. Dilema e tyre ishte nëse këto shkelje mund të klasifikoheshin si të rënda apo jo.
Për kreun e Komisionit Hetimor, Alket Hyseni shkelit jo vetëm që justifikojnë shkarkimin e tij, por deri edhe ndjekjes penale. Megjithatë, ai kërkoi nga deputetët që të marrin vendimin në “respekt të Kushtetutës dhe ligjeve”.
“Në bazë të provave të administruara, postimeve të ndryshme, pamjeve filmike, reagimet e komuniteteve të gjykohet mbi bazë të respektit të Kushtetutës, të ligjeve të Republikës dhe të jemi sa më objektiv, përtej emocioneve dhe bindjeve politike dhe përkatësisë politike të secilit nga ne”, tha Hyseni.
Relatorja Klotilda Bushka, pasi tha se hetimi nga ana proceduriale ishte mbyllur dhe provat ishin të mjaftueshme, Komisionit i duhej që të përcaktojë në raport nëse ato konsiderohen shkelje e rëndë e Kushtetutës apo jo.
“Verifikimi i pasojave të këtyre akteve në parim me raportin e unitetit popullit, prishjen e ekuilibrit politik, prishjen e qetësisë publike, nxitjen e urrejtjes dhe dhunës, venien në rrezik të jetës së njerëzve, ndërhyrjen dhe intimidimin e institucioneve publike, dëmtimin e imazhit dhe reputacionit të vendit si dhe marrëdhëniet me partnerët strategjik të Shqipërisë. Verifikimi i akteve sjelljeve dhe qëndrimeve të caktuara të Presidentit me raport me rolin dhe pozitën e tij kushtetuese”, tha ajo.
Në raportin paraprak, Komisioni akuzon Presidentin për shkeljen e katër neneve të Kushtetutës, që kanë të bëjnë me cilësimin e tij si përfaqësues i unitetit të popullit, detyrimin për të mos ushtruar asnjë aktivitet tjetër veç atij të Presidentit, cenimin e figurës së Presidentit dhe formulën e betimit.
“Ky komision duhet të hetojë dhe të jap konkluzione në lidhje me ekzistencën e këtyre shkeljeve si dhe të vërtetojë që këto shkelje janë të rënda në mënyrë që të japim përgjigje kërkesës së kolegëve deputet”, deklaroi Bushka.
Deputeti Spartak Braho foli me bindje se Komisioni duhet të kërkojë shkarkimin dhe Kuvendi ta votojë atë, madje duke përçuar një mesazh për Gjykatën Kushtetuese.
“Të shohim a do të mbështesë Gjykata Kushtetuese e puçin e Presidentit? Do të presim e të shohim vendimin objektiv për të shuar zërat për anshmërinë e këtij institucioni”, tha Braho.
Myslim Murrizi u shpreh gjithashtu pro kërkesës për shkarkimin e Metës. “Shpresoj që ky Kuvend të ketë kurajon që të rikthejë dinjitetin e republikës parlamentare”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje