Ne rrjet

Avioni i rrëmbyer, si bjellorusët mashtruan pilotët në ajër: Bomba do të shpërthejë në Lituani!

Publikohet biseda mes kullës së kontrollit dhe kabinës së “Boeing 737” të fluturimit Athinë-Vilnius. Dyshimet e pilotit: Nga kush vjen urdhri për të zbritur në Minsk?

Eksplozivi (i cili nuk ekzistoi kurrë) në avionin “Boeing 737” i kompanisë “Ryanair”, sipas kërcënimeve të bëra nga 007-at bjelloruse, duhet të kishte shpërthyer në Lituani, destinacioni përfundimtar i avionit, të cilit iu ndryshua vend-mbërritja.

Kjo është arsyeja pse avioni u “rekomandua” të devijohej në Minsk.

Por kur piloti filloi të kishte disa dyshime në lidhje me mirësinë e këtij informacioni – duke pyetur se nga kush erdhi informacioni për të zbritur në kryeqytetin bjellorus – ishte kontrollori i kullës, ai që shpjegoi se “rekomandimi” erdhi nga Minsku.

Sapo zbriti në tokë, policia arrestoi gazetarin-aktivist Roman Protasevich dhe të dashurën e tij, Sofia Sapega.

“Zbrisni në Minsk”

Sipas transkriptit të bisedës të fluturimit të “Ryanair FR4978” të linjës Athinë-Vilnius, të publikuar nga Departamenti Bjellorus i Aviacionit, nuk ishin pilotët ata që kërkuan uljen, por kulla e kontrollit.

“Fluturimi ‘Ryanair’, na ka mbërritur një informacion nga shërbimet speciale (lokale), se keni një bombë në bord dhe se ajo mund të shpërthejë mbi Vilnius”, – tha kontrollori i hapësirës ajrore bjelloruse në orën 09:30:49 në mëngjes.

“Për arsye sigurie, ju rekomandojmë që të uleni në UMMS (kodi Icao i aeroportit të Minskut)”, – vazhdojnë nga toka komunikimet një minutë më vonë.

“Ok, e kuptoj, ju lutem na jepni një alternativë”, pyet piloti i “Ryanair”.

Një alternativë, që nuk do të sigurohet kurrë, ndoshta duke shfrytëzuar edhe ndikimin emocional në kabinën e pilotit.

Transkriptimi

09:30:49 – Kulla e Kontrollit: Fluturimi Ryanair, këtu Minsku

Piloti: Po, vazhdo fol.

Kulla: Kemi informacion nga shërbimet speciale që keni një bombë në bord që mund të shpërthejë në Vilnius.

09:31:17 Piloti: A mund ta përsërisni mesazhin?

Kulla: Ne kemi informacion nga shërbimet speciale që keni një bombë në bord. Ajo bombë mund të shpërthejë në Vilnius.

Piloti: E kuptova, prit.

09:31:42 Kulla: Fluturimi Ryanair, për arsye sigurie ju rekomandojmë që të uleni në UMMS (Minsk).

Piloti: Ok … kuptohet, na jepni një alternativë ju lutem.

09:32:59 – Piloti: Bomba … mesazh i drejtpërdrejtë, nga vjen? Ku i morët informacionet në lidhje me të?

Kulla: Ju lutem prisni (…) Zyrtarët e sigurisë së aeroportit na kanë informuar se kanë marrë një e-mail.

Piloti: Oficerët e sigurimit të aeroportit të Vilnius apo të Greqisë?

Kulla: Është një e-mail i shpërndarë me postë elektronike me disa aeroporte.

09:34:49 – Piloti: A mund të na jepni frekuencën e kompanisë (e pakuptueshme) në mënyrë që të jemi në gjendje të… (e pakuptueshme).

Kulla: Përsëritni, për çfarë frekuence keni nevojë.

Piloti: Duhet të kontaktojmë me operativin e ndërmarrjes, nëse ekziston një frekuencë për këtë (e pakuptueshme).

09:41:58 – Piloti: Edhe një herë, kjo këshillë për t’u drejtuar në Minsk nga vjen? Nga kompania? A vjen nga autoritetet e aeroportit të nisjes apo nga autoritetet e aeroportit të mbërritjes?

Kulla: Kjo është këshilla jonë.

Piloti: A mund ta përsërisni?

Kulla: Kjo është këshilla jonë.

Piloti: (e pakuptueshme) Thatë se është këshilla juaj?

Kulla: Charlie-Charlie (që në zhargon do të thotë “e saktë, po”).

09:44:52 – Piloti: Ju duhet t’i përgjigjeni pyetjes se cili është kodi (e pakuptueshme)?

Kulla: Prisni.

09:45:09 – Kulla: Fluturimi Ryanair, ata thonë se kodi është i kuq.

Piloti: Marrje, në këtë rast ne kërkojmë të mbajmë pozicionin tonë aktual.

09:47:12 – Piloti: Fluturimi Ryanair këtu, ne po shpallim një gjendje emergjence, “MAYDAY”, “MAYDAY”, “MAYDAY”. Synimi ynë është të devijojmë në aeroportin e Minskut.

Kulla: Marrje, fluturimi Ryanair. Prisni për udhëzimet.

09:52:29 – Kulla: Fluturimi Ryanair, paralajmëroni pasagjerët në bord dhe nëse ka ndonjë objekt të rrezikshëm në bord.

Piloti: Nuk ka objekte të rrezikshme.

09:54:45 – Piloti: Në bord ndodhen 133 persona.

Versioni i Minskut për ngjarjen

Në orën 10:15 (1:15 pasdite me kohën lokale), të dielën në 23 maj, “Boeing 737” zbarkon në Minsk.

Në transkriptime nuk përmendet prania e një avioni luftarak Mig-29, prania e të cilit u konfirmua nga stafi i presidentit të diktatorit Lukashenko.

Autoritetet bjelloruse pretendojnë se të dielën u dërgua një mesazh në kutinë postare të aeroportit të Minskut “info@airport.by nga domeni protonmail.com” shkruar në anglisht me përmbajtjen vijuese: “Ne, ushtarët e Hamasit, kërkojmë që Izraeli të pushojë zjarrin në Rripin e Gazës. Ne kërkojmë që Bashkimi Evropian të heqë dorë nga mbështetja e tij për Izraelin në këtë luftë. Dihet që pjesëmarrësit në Delphi Forum Economic (i cili u zhvillua nga 10 deri më 15 maj), po kthehen në shtëpi me fluturimin FR4978. Në këtë aeroplan është vendosur një bombë. Nëse nuk i përmbushni kërkesat tona, bomba do të shpërthejë më 23 maj mbi Vilnius”.

Përshtati në shqip: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë