Futboll

Kapllanët e titullit/ Babai kampion në ’94, sot trofeun do ta ngrejë djali i tij

Nga Fatjon Rupi – Fati është i shkruar. Një histori shumë e bukur ajo e familjes Kapllani në Durrës. Para 27 vitesh, në 1994-ën, festonte titullin e parë kampion në historinë e Teutës me Xhevahirin protagonist në fushë. Sot është radha e Dejvidit, djalit të Xhevahirit, të ngrejë lart trofeun e kampionit. Do të jetë titulli i dytë në historinë e skuadrës durrsake, që e ka fatin në dorën e saj, mjafton të mundë Apoloninë e rënë nga kategoria.

Babai portier, djali sulmues. Për Xhevahir Kapllanin nuk do të jenë thjesht emocionet e një titulli, ndoshta do të emocionohet më shumë të shohë të birin me trofe në duar se sa kur e ka fituarë vetë atë. “Patjetër që do të kem shumë emocione, – thotë Xhevahir Kapllani për Gazeta Si. – Do të më kujtohet gjithçka që kam kaluar vetë në 1994-ën. Epo duhet një Kapllan për titullin, por më mirë le të presim pak dhe të festojmë kur të bjerë bilbili”.

Xhevahir Kapllani sot. Gazeta Si, 26 maj 2021

“Xhevo”, siç e thërrasin të gjithë, është tifozi numër 1 i Dejvidit, i cili nuk preferoi dorezat për t’u bërë portier si i ati, por zgjodhi “profesionin” e sulmuesit. Është 19 vjeç, aq sa ishte edhe babai i tij kur u shpall kampion, ka luajtur në 11 ndeshje këtë sezon dhe ka shënuar 1 gol. “I ka ngjarë xhaxhait për rolin ku luan, – shprehet me shaka Xhevahiri, duke iu referuar vëllait të tij, Edmondit, ish-sulmues i Kombëtares. – Dejvi është i ri, ka marrë pak minuta, por është mundur të jetë protagonist për aq sa ka luajtur. E ka të ardhmen përpara dhe do të jetë shumë emocionuese ta shoh të shpallet kampion”.

Dejvid Kapllani, 19 vjeç. Gazeta Si, 26 maj 2021

Ish-portieri i njohur durrsak është pak fanatik i kohës së tij dhe Teutën e 1994-ës e vlerëson më tepër për disa karakteristika të veçanta që ajo kishte. “Nuk i heq asnjë meritë dhe asnjë vlerë ekipit aktual, por Teuta ime ishte e mbushur me talente. Kishte lojtarë që më pas bënë karrierë në vend dhe jashtë, u bënë pjesë e Kombëtares. Ishte një ekip më autokton, me lojtarë durrsakë dhe pak nga qytetet e tjera. Mund të përmend emra si Ardian Abazi, Elton Koça, Mikel Furxhi, Gentian Begeja, Enkeled Dobi, Ardian Dashi e të tjerë.

Teuta e asaj kohe ishte një ekip shumë i ri në moshë, por shumë i fortë. Dua të theksoj se ne shkonim në qytetet e tjera të vendit me 5 apo 6 mijë tifozë me vete. Në Durrës stadiumi mbushej plot nga tifozët, po ashtu edhe stadiumi “Qemal Stafa”, kur luanim ne. Ishte diçka vërtet shumë e bukur”, – tregon për Gazeta Si Xhevahir Kapllani.

Teuta, duke festuar titullin e ’94. Gazeta Si, 26 maj 2021

Çfarë mendon ish-portieri për Teutën aktuale dhe sezonin në tërësi? “Teuta sot është një skuadër ndryshe, sepse edhe kohët janë ndryshe. Ajo që e veçon nga rivalët e tjerë për titullin kampion kë të bëjë me faktin se ndaj skuadrave në thonjëza më të vogla, ka marrë maksimumin e pikëve. Dhe dihet që titulli fitohet më “të voglat”. Thonë që nuk luan bukur? Por edhe skuadrat e tjera nuk kanë bërë ndodnjë gjë më shumë. Kjo Teutë ka qenë pragmatiste, ka bërë më mirë se të tjerët.

E meriton të jetë kampione skuadra, e meriton qyteti i Durrësit, e mertojnë tifozët, e meriton presidenti Edmond Hasanbelliu, presidenti më i vjetër në Superiore. Për shumë arsye, kishte ardhur koha për titullin e dytë të Teutës”, – përfundon Xhevahir Kapllani.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë