Të gjitha shtetet që duan të bëhen në Bashkimin Europian kalojnë përmes një rruge të gjatë dhe të mbushur me sfida, pasi për anëtarësimin e plotë në union nevojitet implementimi i shumë reformave të cilët ndikojnë që procesi i integrimit të zgjatet.
Që nga krijimi i BE-së në vitin 1957 me traktatin e Romës, BE sot numëron 27 anëtarë, dhe së bashku me Shqipërinë ka shumë pretendentë të tjerë të cilët presin në rradhë për t’iu bashkuar asaj.
Nuk ekziston një manual se sa kohë i duhet një vendi për tu bërë pjesë e BE-së pasi kjo varet nga aftësia dhe gatishmëria e tyre për të përmbushur të gjitha kushtet për çdo vend kandidat i cili synon për tu bërë pjesë e saj.
Ndonjëherë integrimi i një shteti në BE nuk është i kushtëzuar vetëm me plotësimin e kritereve anëtarësim, pasi zvarritja e anëtarësimit të një shteti ndodh edhe për shkaqe politike, ekonomike dhe strategjike e të cilët në historinë e Brukselit nuk kanë munguar dhe të cilët vazhdojnë që të jenë prezentë edhe sot.
Danimarka, Irlanda dhe Britania e Madhe, ishin vendet e para të cilat aplikuan në vitin 1961 për tu bërë anëtare të BE-së dhe u pritën mirë nga vendet tjera të unionin, por jo nga Franca, e cila kishte rezervat e veta për hyrjen e anëtarëve të ri. Presidenti Francez Charles De Gaulle kundërshtoi anëtarësimin e Britanisë me arsyetimin se ajo ishte ndryshe nga Evropa Kontinentale dhe për ta bllokuar përdori të drejtën e vetos. Në jo për Londrën nënkuptonte se ishte një refuzim edhe për dy vendet tjera. Britania aplikoi sërish për anëtarësim në vitin 1967 dhe sërish u ndesh me veton Franceze, por situata do të ndryshonte me largimin nga presidenca e De Gaulle. Në vitin 1973 këto tre shtete do të bëhen anëtare të plotë në BE, 12 vjet aplikimit.
Greqia është një shtet tjetër i cili aplikoi për anëtarësim të plotë në BE në vitin 1975, e cila u prit me skepticizëm nga vende anëtare të cilët kishin dyshimet rreth aftësisë së saj për tu përshtatur në aspektin politik dhe ekonomik me vendet tjera anëtare të unionit. Pas një periudhe gjashtë vjeçare që nga data e aplikimit Athina u bë pjesë e BE-së më 1 janar të vitit 1981.
Spanja dhe Portugalia janë dy shtetet tjera të cilët aplikuan në vitin 1977 për tu bashkuar me Unionin, ku edhe për këto vende kishte një skepticizëm nga ana e anëtareve të tjerë BE-së të cilat kishin të bënin me ndryshimet në zhvillimin politik dhe ekonomik, si dhe frika se këto vende mund të bëheshin barrë për vendet anëtare. Rëndësia gjeopolitike e këtyre dy shteteve bëri që të tejkalohen dyshimet dhe pas një periudhe 9 vjeçare këto dy shtete pranohen si anëtare të plota në BE.
Zgjerimi katërt i BE-së ndodhi në vitin 1995 pas pranimit të Austrisë, Finlandës dhe Suedisë të cilët për dallim nga vende tjera pararendëse ishte më e lehtë pasi këto shtete kishin një zhvillim të njëjtë në aspektin politik, ekonomik, kulturor dhe historik me vendet tjera të unionit. Austria aplikoi për anëtarësim në vitin 1989, Suedia në vitin 1991 dhe Finlanda në vitin 1992, pra procesi i anëtarësimit Vienës ka zgjatur 6 vite, Stokholmit 4 vite, kurse Helsinkit vetëm tre vite.
Zgjerimi i pestë ndodhi pas përfundimit të Luftës së Ftohtë e cila rezultoi me ndryshime të mëdha politike, ekonomike dhe shoqërore në kontinentin europian, pasi në këtë zgjerim pjesë të BE-së u bënë shtete të cilat kishin qenë nën regjimin komunist dhe për t’u anëtarësuar në BE bënë ndryshime radikale në të gjitha fushat e jetës. Ky zgjerim në vetë ka përfshirë më shumë shtete së sa zgjerimet tjera të mëhershme.
Sllovenia dhe Çekia aplikuan për tu bërë shtete anëtare në vitin 1996, Bullgaria, Lituania, Estonia, Letonia, Sllovakia, Rumania aplikuan për tu bërë anëtare në vitin 1995, Polonia dhe Hungaria në vitin 1994, Qipro dhe Malta në vitin 1990.
Më 1 maj të vitit 2004, përfundoi zgjerimi më gjithëpërfshirës që ka ndodhur në historinë e BE-së në të cilën u pranuan zyrtarisht 10 shtete të reja anëtare ku procesi i pranimit për Çekinë dhe Slloveninë zgjati 8 vite, Hungarinë dhe Poloninë 10 vite, Sllovakia, Lituania, Letonia, Estonia u pranuan pas 9 viteve, kurse për Maltën dhe Administrata Qipriote Greke aplikimi zgjati 14 vite. Bullgaria dhe Rumania u pranuan më 1 janar të vitit 2007 dhe procesi i integrimit për këto vende zgjati 12 vite.
Kroacia është vend i fundit i cili është pranuar në BE, e cila aplikoi në vitin 2003 dhe u pranua në vitin 2013.
Shqipëria ka aplikuar në vitin 2009 për anëtarësim, Maqedonia e Veriut ka aplikuar në vitin 2004, Mali i Zi ka aplikuar në vitin 2008, i ka filluar negociatat në vitin 2012 dhe deri më tani ka hapur 33 kapituj nga 35, Serbia ka aplikuar në vitin 2009 ka filluar negociatat në vitin 2013 dhe deri më tani ka hapur 18 kapituj. Kosova dhe Bosnja janë dy shtete tjera pretendente për integrim në Bashkimin Europian.
Periudha që nga aplikimi deri të integrimi të plotë në BE është një proces i gjatë i cili merr kohë dhe nuk ndodh menjëherë dhe dallon nga shteti në shtet pavarësisht nga gatishmëria e tyre për të implementuar kushtet e nevojshme për anëtarësim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje