Spanjollët e Vilarrealit janë fituesit e Ligës së Europës. Finalja e luajtur në Gdansk të Polonisë nisi në orën 21:00 dhe u mbyll 5 minuta para mesnate, pasi koha e rregullt dhe dy shtesat u mbyllën në barazim, 1-1. Më pas u desh të gjuanin penallti të gjithë futbollistët në fushë për secilën skuadër për të shpallur fituesin. I vetmi që gaboi ishte portieri i Mançester Junajtid, David De Gea.
Zherard Moreno kaloi në avantazh Vilarrealin në pjesën e parë në zhvillimet e një goditjeje standarde. Anglezët barazuan me Edinson Kavanin në pjesën e dytë dhe më pas kishin një rast të artë për golin e fitores me Markus Rashford, i cili gaboi fatalisht, duke gjuajtur jashtë shumë afër portës.
Lodhja bëri të vetën dhe dy skuadrat u pajtuan me barazimin, duke e çuar gjithçka në shtesë e më pas te “ruleta” e penalltive. Të dy trajnerët, Solskjaer i Mançesterit dhe Emeri i Vilarrealit, i bënë ndërrimet e fundit pikërisht për këtë qëllim. Nga pika e bardhë të gjithë lojtarët që gjuajtën u treguan të saktë dhe ishte radha e portierëve për të mbyllur xhiron e 11-të. Argjentinasi i Vilarrealit, Ruli, gjuajti saktë dhe më pas priti gjuajtjen e kolegut De Gea, duke u bërë “heroi” i spanjollëve.
Trajneri Unai Emeri ka konfirmuar se është specialisti i trofeut të dytë në nivel klubesh në Europë. Ai ka fituar tri herë më parë me Seviljen dhe tashmë i ka dhënë trofeun e parë europian Vilarrealit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje