Bota

Gjermania planifikon të vaksinojë adoleshentët gjatë verës

Gjermania planifikon që të nisë vaksinimin e të gjithë fëmijëve mbi 12 vjeç deri në fund të gushtit.

Pas një fillimi të ngadaltë të fushatës së vaksinimit kundër COVID-19, Gjermania ka përshpejtuar imunizimin e popullatës kundër koronavirusit.

Me mbi 40 për qind të popullatës që ka marrë të paktën një dozë të vaksinës, vëmendja tashmë është kthyer rreth pyetjes se nëse duhet që të vaksinohen edhe adoleshentët.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel pritet të diskutojë pikërisht për këtë çështje me kryeministrat e 16 shteteve federale gjermane.

Megjithatë, opinioni në mesin e ekspertëve në Gjermani është i ndarë lidhur me vaksinimin e adoleshentëve. Disa shkencëtarë thonë se për shkak të mungesës së të dhënave lidhur me efektet afatgjate të vaksinimit, do të duhej që të vaksinoheshin vetëm adoleshentët që kanë sëmundje të rënda.

Megjithatë, në dokumentin e Ministrisë së Shëndetësisë bëhet e qartë se qeveria dëshiron që adoleshentët nga 12-18 vjeç të jenë vaksinuar të paktën me dozën e parë deri në fund të gushtit.

“Pasi të jetë marrë aprovimi për vaksinimin e adoleshentëve 12 vjeç e sipër, qeveria planifikon të ofrojë doza të tjera të vaksinës për të gjitha lander që ky qëllim të arrihet”, thuhet në dokument.

Agjencia Europiane e Barnave ka gjasa që të premten të marrë vendim për lejimin e vaksinimit të grupmoshës 12-15 vjeç me vaksinën e Pfizer/BioNTech.

Sipas dokumentit, Gjermania pret që të vaksinojë të paktën 60 për qind të kësaj grupmoshe.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë