Futboll

Zidan ikën zyrtarisht nga Reali, Alegri akord për rikthimin te Juventusi

Vendimin e kishte marrë kohë më parë dhe ua kishte bërë të ditur edhe lojtarëve. Tani është zyrtare, Zinedin Zidan largohet nga stoli i Real Madridit.

“Real Madrid bën me dije se Zinedin Zidan ka vendosur ta mbyllë eksperiencën si trajner i klubit. Është momenti për të respektuar vendimin e tij dhe për të treguar mirënjohje për profesionalizmin, dedikimin dhe pasionin e tij për gjithë këto vite, si dhe për atë që ai përfaqëson për klubin tonë”, – shkruhet në njoftimin zyrtar të klubit madrilen.

Perez dhe Zidan. Gazeta Si, 27 maj 2021

Kjo ishte hera e dytë që francezi drejtonte Realin. Herën e parë Perez i thirri në 2016-ën për të zëvendësuar Rafa Benitezin. Në atë kohë tregoi se çfarë është në gjendje të bëjë, duke fituar 3 Champions për dy vjet e gjysmë. U largua më 31 maj 2018, por Perez i telefonoi sërish më 11 mars të vitit pasardhës, pas dështimeve me Lopeteguin dhe Solarin.

Zizu pranoi, fitoi një tjetër titull dhe tani vendos t’i hapë rrugën dikujt tjetër, edhe pse ka edhe një vit kontratë. “Nuk do të krijoj probleme në momentin që do të largohem”, – ka thënë së fundi trajneri francez. Zinedin Zidan është shumë i lidhur me klubin spanjoll, ku luante 20 vjet më parë.

Në vend të tij, pasi Alegri ka rënë poshtë, për momentin mbeten kandidatë Antonio Konte dhe Raul, i cili drejton ekipin e dytë, ashtu si Zidan në 2016-ën. Zidan e ka marrë vendimin, Florentino Perez ende jo. Duhet të veprojë shpejt.

Masimiliano Alegri. Gazeta Si, 27 maj 2021

Masimiliano Alegri ndërkohë pritet të rikthehet në krye të Juventusit, duke zëvendësuar Andrea Pirlon. Vetëm një vit zgjati aventura e ish-mesfushorit në krye të bardhezinjve, ku vështirësitë ishin të mëdha dhe vetëm në javën e fundit u sigurua pjesëmarrja në Ligën e Kampionëve. Alegri e njeh mjaft mirë ambientin dhe do të ishte zgjedhja më e mirë. Ai e ka arritur akordin me drejtuesit e klubit dhe pritet vetëm zyrtarizimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë