Bota

Assad shpallet fitues i zgjedhjeve në Siri me 95 për qind të votave

Diktatori sirian Bashar al-Assad ka fituar 95 për qind të votave duke marrë mandatin e katërt shtatë-vjeçar si president i vendit të shkatërruar nga lufta.

Rezultatet e zgjedhjeve në Siri u shpallën më 27 maj. Këto ishin zgjedhjet e dyta presidenciale që kur filloi konflikti 10 vjet më parë, por opozita dhe vendet perëndimore i kanë quajtur të manipuluara.

Qeveria tha se më shumë se 12,000 qendra votimi ishin ngritur në të gjithë vendin për zgjedhjet e 26 majit.

Asadi kandidoi për pozitën e presidentit kundër dy figurave pak të njohura. Në Sirinë verilindore nuk u votua, pasi rajoni kontrollohet nga luftëtarët kurdë të mbështetur nga SHBA-ja. Zgjedhjet nuk u organizuan as në provincën veriperëndimore të Idlibit, bastioni i fundit i madh i rebelëve në këtë vend.

Për sirianët që jetojnë jashtë vendit, kutitë e votimit u hapën javën e kaluar në ambasadat e Sirisë, por atyre u kërkohej të paraqisnin një pasaportë të vlefshme e cila duhej të kishte vulën e daljes nga vendi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë