Politike

Basha, demokratëve: Disavantazhi për një përçarje në parti, sa të kem frymë do punoj t’ju sjell fitoren

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, tha gjatë takimeve me demokratët e Matit dhe Bulqizës se pala kundërshtare e trajtoi procesin zgjedhor si një masakër elektorale të përgatitur.

Për këtë arsye, Basha, jo pa qëllim, nënvizoi se duhet një qëndrim i qartë edhe nga zërat brenda PD-së nëse zgjedhjet  ishin masakër zgjedhore apo fitore e kundërshtarit. Kjo dilemë sipas tij është edhe disavantazhi që ekziston në PD për një përccarje të mundshme.  

“Disavantazhi është që pas kësaj qëndrese të gjatë, ku kemi faktuar vendosmërinë tonë, dorëzimi përballë atyre që e konsiderojnë 25 prillin, fitore të Ramës dhe jo një masakër zgjedhore, mund të japë shkak një përçarjeje të re në gjirin tonë dhe këtë ne nuk mund ta lejojmë. Kjo është arsyeja se pse në Këshilli Kombëtar, siç e dinë anëtarët e Këshillit Kombëtar ishin këtu, para se të niste ky proces, i bëra një thirrje: “Ndani mendjen, është masakër zgjedhore apo është fitore e Edi Ramës, se në qoftë se nuk është masakër zgjedhore, por është fitore e Edi Ramës, kjo punë nuk bëhet kështu.” Atëherë, unë e jap dorëheqjen këtu, në këtë moment.

Por në qoftë se jemi të gjithë, siç jemi dëshmitarë se kjo është masakër zgjedhore e një regjimi, atëherë ejani të vazhdojmë betejën deri në fund drejt një stacioni final që është rrëzimi regjimit që është fitorja e demokracisë dhe e Partisë Demokratike”, tha Basha.

Misioni i ndryshimit, sipas tij, mbetet misioni i demokratëve. Ndaj dhe ai kërkoi ndihmën  e demokratëve.

“Keni qëndruar në krahun tim në shumë prej këtyre betejave, në një 8-vjeçar të mbushur me sfida po ku ne nuk jemi zvarritur, as kemi bërë kompromis me të keqen, përkundrazi jemi përballur. Lidershipi im nuk ka qenë lidership kriminelësh, ka qenë një lidership sakrificash.

Ndaj, këtu dua të ndalem për një çast dhe t’ju siguroj që nuk ka fjalë në fjalorin e pasur të gjuhës shqipe që mund të shprehë përmasat e vërteta të mirënjohjes që ndjej në shpirtin tim për sakrificën tuaj si dhe t’ju them se për këtë sakrificë dhe vetëmohim, sa të kem frymë, nuk do të resht të bëj asgjë në dorën time, nuk do të lë asgjë pa bërë derisa çdo pikë djerse e sakrificës tuaj, të shpërblehet.

Por me përgjegjësinë që na kanë dhënë shqiptarët, me përgjegjësinë që na kanë ngarkuar demokratët kudo që ndodhen, atë për të sjellë ndryshimin, jam këtu për t’ju kërkuar ndihmën tuaj. Jam këtu për t’ju kërkuar ta vazhdojmë bashkë këtë përballje, ta vazhdojmë bashkë këtë betejë!”, tha ai


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë