Futboll

Notat e finales/ Kante nuk gaboi asnjë prekje, Sitin e tradhtoi sulmi

Çelsi e zgjidhi finalen ndaj Mançester Sitit në mënyrën më të mirë dhe këtu pa dyshim ka një meritë të veçantë trajneri gjerman Tomas Tuhel, i cili mbetet një “mace e zezë” për Pep Guardiolën. Lojtarët e ekipit londinez kryen detyrat me përpikëri, duke zhvilluar një ndeshje të madhe, me në krye mesfushorin e pagabueshëm N’Golo Kante. Ja dhe notat për protagonistët e Çelsit.

Çelsi feston me trofeun. Gazeta Si, 30 maj 2021

Mount 7 – Duke shfrytëzuar krahun e tij dhe teknikën e tij, Çelsi krijoi menjëherë rastet më të mira për gol të ndeshjes. Dha asistin për Havertz me një vertikalizim perfekt mes dy mbrojtësve kundërshtarë të qendrës. Ai e mendoi veprimin para se të merrte topin në mesfushë.

Havertz 7.5 – Gjeti golin e parë sezonal në Champions në momentin më të mirë të mundshëm. Depërtim i shkëlqyer, driblim i ftohtë ndaj portierit Ederson dhe topi në rrjetë. Luajti me elegancë dhe efikasitet në kundërsulmet e Çelsit, duke sakrifikuar edhe në fazën mbrojtëse.

Blutë festojnë golin e Havertz. Gazeta Si, 30 maj 2021

Verner 5.5 – Numrat e vrapimeve për të çbilancuar mbrojtjen e Sitit nuk dalin, ashtu si dhe kilometrat e bëra nga gjermani. Nga pikëpamja e sakrificës nuk ka asgjë për të thënë, si gjithmonë, por shpërdoron të paktën dy raste goli në zonën kunbdërshtare dhe për një lojtar roli si ai, është e pafalshme kjo sufiçencë.

Kante 8 – Vetëm konfirmime nga njeriu i kudondodhur. Në sulm, presion ndaj kundërshtarit, në mbrojtje, në qendër, në krah. Shikoni një pikë çfarëdo në fushë dhe do të gjeni numrin 7 me fanellën blu që vrapon pa gabuar asgjë, asnjë top dhe asnjë prekje.

Sulmi i Sitit, katastrofë
Në krahun tjetër, te skuadra humbëse e Mançester Sitit paraqitjen më të dobët e bënë lojtarët e sulmit, duke nisur nga De Bryjne, pavarësisht dëmtimit që e detyroi të dilte jashtë. Guardiola nuk i kishte bërë mirë llogaritë këtë herë dhe për më tepër reagimi pas golit të pësuar ishte shumë i dobët nga ana e skuadrës së tij.

De Bryjne del nga fusha i dëmtuar. Gaazeta Si, 30 maj 2021

De Bryjne 5 – Një goditje e fortë në sy bëri që ta mbyllte ndeshjen para kohe, por paraqitja e belgut, me shiritin e kapitenit në krah, nuk ishte më e mira. Ai luajti si “9 false” në skemën e Guardiolës dhe vetëm në një moment u “ndez”, kur kombinoi me Foden. Nuk gjeti pozicionin e duhur, duke vuajtur ndaj Kante. Nuk mundi të gjente korridoret e duhura.

Foden 5.5 – Momentet e rrezikshme në portën e Çelsit kaluan nga këmbët e tij dhe nga depërtimet e tij. Një mbyllje e Rudiger i mohoi gëzimin e golit, por kjo ishte shumë pak për futbollistin anglez.

Mahrez 5.5 – Ishin 90 minuta në hije, pasi u mbyll në morsë nga dyshja Çiluell-Rudiger. Në fundin e ndeshjes provoi të bënte diçka, por pa mundur të jepte shkëndijën që skuadra e tij priste. As në minutën e 96-të, kur e djathta e tij përkëdheli traversën.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë