Politike

Basha kërkon votën për “stacionin e fundit”: Rama po mundohet të na përçajë

Lulzim Bsaha kërkoi mbështetjen e demokratëve të Dibrës, duke u folur atyre për atë që e quan “masakër zgjedhore të 25 prillit”, që Edi Rama po mundohet ta fshehë përmes ftesës për bashkëpunim dhe duke fajësuar Kryeministrin se qëndron pas përpjekjeve për të përçarë Partinë Demokratike.

“Sot, kundërshtari politik po mundohet ta fshehë masakrën zgjedhore duke na shtrirë dorën për bashkëpunim, pa vija të kuqe siç thotë, duke hedhur karremin që hajde të ndryshojmë ligjin zgjedhor, pasi ka bërë masakrën zgjedhore. Pra, duke dashur që në një moment ligështimi, dëshpërimi të qytetarëve, të kompromentojë të vetmen forcë që ai e di, që jo vetëm e ka përballë po që pavarësisht prej masakrës së 25 prillit, jo vetëm nuk u gjunjëzua, po doli më e fortë dhe më e bashkuar nga Dibra, anembanë Shqipërisë”, deklaroi Basha.

“I vetmi mjet që Edi Rama ka për t’i shpëtuar të pashmangshmes që është përballja që po vjen jo vetëm thjesht me zemëratën e demokratëve, por me zemëratën e një populli të tërë që u është mohuar dhunshëm por përkohësisht ndryshimit, e vetmja gjë që ka në dorë është që të na përçaj. Le ta themi troç, drejtëpërdrejtë: nuk do Edi Rama që ne të vazhdojmë betejën bashkë dhe nuk do që unë të jem në krye të kësaj beteje”, vijoi kreu i PD.

Basha rendit dy arsye se përse duhet rizgjedhur në krye të partisë.

“Së pari që ta konsiderojmë këtë garë ë po e bëjmë për hirë të rregullave dhe vlerave tona statutore si një mundësi ë artë për të dal më të bashkuar. Së dyti, që paqartësitë, apo turbullirat që mund të zotërojnë në mendjen e ndokujt, apo në zemrën e ndokujt, mos të kthehen në arsye për t’i rënë me shkelm asaj që kemi ndërtuar së bashku gjithë këto vite sakrificash, e në veçanti në këtë betejë epike me regjimin deri më datë 25 prill”, tha ai.

Basha bëri thirrje që 13 qershori të ktheheht në një ditë bashkimi të jashtëzakonshëm të demokratëve, për pjesëmarrje masive në këto zgjedhje të brendshme e për të vijuar betejën për në stacionin e fundit, që thotë se është “rrëzimi i regjimit të Edi Ramës”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë