Politike

Shkarkimi i Metës, Kuvendi vendos më 9 qershor. Presidenti mund të flasë gjatë seancës

Kuvendi do të vendosë më 9 qershor në lidhje me propozimin e Komisionit Hetimor “Meta 2” për shkarkimin e Presidentit.

Vendimi është marrë këtë të hënë nga Konferenca e Kryetarëve, që ka përcaktuar datën 9 qershor dhe orën 10 të nisjes së seancës, ku do të shqyrtohet dhe më pas votohet raporti i komisionit hetimor.

Sipas rregullores së Kuvendit, në këtë seancë koha për secilin deputet që dëshiron të marrë fjalën është deri në 20 minuta.

Po, ashtu rregullorja përcakton se nëse Presidenti Ilir Meta kërkon që të dëgjohet në këtë seancë plenare, Kuvendi është i detyruar që t’ja mundësojë këtë dëgjesë. Megjithatë, ky detyrim i Kuvendit dhe e drejtë e Presidentit nuk parashikohet që të ndodhë, nisur nga fakti që Meta nuk e ka njohur Komisionin Hetimor, që thotë se është antikushtetues.

Në fund, nëse shkarkimi merr më shumë se 94 vota, atëherë votimi bashkë me raportin e Komisionit Hetimor i dërgohen Gjykatës Kushtetuese për të marrë vendimin përfundimtar.

Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla u shpreh optimist se edhe Gjykata Kushtetuese do ta lexojë dosjen e komisionit hetimor, ashtu siç e lexojnë socialistët dhe foli për pasaardhësin e Metës.

“Iniciativa për shkarkimin e presidentit ka ardhur si nevojë për të çliruar Presidencën nga një pengmarrje dhe natyra për zgjedhjen e Presidentit të ri do kërkojë kohën e vet dhe pse jo të mos jetë një paketë e rëndësishme me bashkëpunimin e me opozitën”, u shpreh ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë