Politike

Kolegji Zgjedhor “vulos” Gjirokastrën: Nuk ka ndryshim rezultati

Beteja ligjore e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim për të kundërshtuar rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit mori një tjetër goditje këtë të hënë, ku shkalla e fundit e ankimimeve rrëzoi kërkesat e tyre.

Kolegji Zgjedhor vendosi rrëzimin e ankimimeve të Partisë Demokratike, Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe të kandidatit të pavarur të mbështetur nga Vetëvendosja, Kreshnik Merxhani për pavlefshmëri të zgjedhjeve në Qarkun e Gjirokastrës.

Kolegji Zgjedhor zhvilloi mbledhjen e parë, ku Partia Demokratike tha se ka dorëzuar në këtë Kolegj një dosje me 600 faqe dhe mbi 400 prova shkresore, me foto e video të shit-blerjes së votave. ndërsa LSI kërkoi pavlefshmërinë e zgjedhjeve me pretendimin se vendimi i Komitetit Teknik për karantinë dyjavore për të gjithë qytetarët që hynin nga Greqia para dhe gjatë zgjedhjeve penalizoi këtë forcë politike, ndikoi në rezultatin final dhe mbi të gjitha ishte antikushtetues.

Të trija palët dorëzuan në Kolegj padi kundër vendimeve të mëhershme të Komisionit për Ankesat dhe Sanksionet, që rrëzoi kërkesat për marrje provash shtesë dhe në fund vendosi mosndryshim të rezultatit të zgjedhjeve në këtë qark.

PD kërkoi nga Kolegji që të marrë prova shtesë nga institucionet e tjera shtetërore, por ashtu si në KAS, edhe këtu kjo kërkesë u rrëzua dhe vendimmarrja e Kolegjit u bë vetëm mbi bazën e provave të dorëzuara nga palët ankimuese.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë