Futboll

Barcelona zyrtarizon blerjen e Agueros, sulmuesi firmos deri në 2023-shin

Serxhio Aguero është lojtari më i ri i Barcelonës. Sulmuesi argjentinas ka firmosur kontratën 2-vjeçare me katalanasit dhe do të fitojë 5 milionë euro në sezon. Në kontratën e tij ka edhe një klauzolë prej 100 milionësh në rast të prishjes së parakohshme të saj. Aguero vjen te Barcelona me parametra zero, pasi i përfundoi kontrata me Mançester Sitin.

“Kun” kthehet në La Liga 10 vite pas largimit nga Atletiko Madrid. Gjatë kësaj periudhe ai ka luajtur vetëm me Mançester Sitin, ku është bërë shënuesi më i mirë i historisë së klubit anglez. Lajmin e afrimit zyrtar të Agueros klubi i Barcelonës e ka bërë të ditur me anë të një postimi mjaft interesant në Tuiter.

Kontrata e argjentinasit me katalanasit është e vlefshme deri më 30 qershor 2023. Pas firmës, sulmuesi me përvojë do të bëjë edhe fotot e rastit në “Camp Nou” e më pas do të dalë edhe në konferencë shtypi. Gjatë paradites ai ka kryer vizitat mjekësore, ku vëmendje e veçantë i është kushtuar gjurit të tij, pasi te Barcelona kanë dashur të sigurohen. Tashmë nis zyrtarisht aventura e Agueros në krah të Mesit, i cili e ka kërkuar me ngulm te Barcelona.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë