Steven Seagal, aktori i njohur i Hollivudit dhe një nga fansat më të mëdhenj të Vladimir Putinit, tani është anëtar i partisë pro-Kremlinit, të quajtur “Një Rusi e Drejtë – Patriotë – Për të Vërtetën”. Lajmi bëhet i ditur nga gazeta “Moscow Times”.
Seagal, një qytetar i natyralizuar rus që nga viti 2016, tha se planifikon ta përqendrojë punën e tij në parti, jo në në çështjet e sigurisë, por në atë të mjedisit dhe goditjen e bizneseve që dëmtojnë ambientin.
Kryetari i partisë pro-Kremlinit, Sergei Mironov, i dorëzoi teserën aktorit 69-vjeçar të Hollivudit, i cili më parë ishte anëtarësuar në partinë “Për të vërtetën”.
Kjo e fundit më vonë u bashkua me partitë “Patriotë për Rusinë” dhe “Një Rusi e Drejtë”. Një parti e koalicionit që mban 23 nga 450 vende në dhomën e ulët të Dumës, parlamenti rus.
Ajo është partia e katërt, pas “Rusia e Bashkuar” e drejtuar nga Putini (335 vende), Partia Komuniste (42 vende) dhe Partia Liberale (40 vende).
Raundi tjetër i zgjedhjeve të Dumës, duhet të bëhet shtatorin e ardhshëm, por agjencia e lajmeve “Tass”, ka specifikuar se Seagal nuk do të jetë në gjendje të kandidojë, pasi ai mban shtetësinë e tij amerikane.
Sidoqoftë, anëtarësia e Seagal në partinë aleate të Putinit, nuk është një rrufe në qiell të hapur. Në të vërtetë, miqësia e tij me “Carin” zgjat të paktën prej pesë vitesh.
Në fakt, në vitin 2016, lideri i Kremlinit i dha aktorit amerikan shtetësinë ruse. “Ai është një nga udhëheqësit më të mëdhenj të botës së gjallë, e konsideroj mikun tim dhe do të doja ta konsideroja vëllain tim”, – kishte deklaruar aktori i arteve marciale disa vjet më parë.
Në kohën e krizës së Krimesë, Seagal mbështeti publikisht politikën e “vëllait” të tij Putin ndaj Ukrainës, duke e cilësuar si “idiote” atë të Obamës.
Në një intervistë për gazetën qeveritare “Rossiskaia Gazeta”, Seagal më vonë tha se për mendimin e tij, ishte “shumë e arsyeshme dëshira e Putinit për të mbrojtur rusisht-folësit e Krimesë, pasuritë e tyre dhe bazën ruse në Sevastopol”.
Dhe në gusht 2018, Ministria e Jashtme e Moskës, e emëroi Seagal “përfaqësues special për lidhjet humanitare ruso-amerikane”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje