Futboll

Tirana konfirmon Shehin edhe për sezonin e ardhshëm: Ka punuar mjaft mirë!

Presidenti i Tiranës, Refik Halili, ka vendosur që ta vazhdojë bashkëpunimin me trajnerin Orges Shehi, edhe pse nuk u arrit objektivi për ta çuar skuadrën në Kupat e Europës. Klubi ka njoftuar zyrtarisht marrëveshjen për zgjatjen e bashkëpunimit mes palëve, por pa dhënë detaje konkrete.

“Klubi i Futbollit Tirana njofton nënshkrimin e marrëveshjes me trajnerin Orges Shehi. Gjatë bisedimeve në ditët e fundit presidenca dhe trajneri Shehi arritën dakordësinë për zgjatjen e bashkëpunimit mes tyre. Pasi mori drejtimin e ekipit në janar, duke bërë një punë mjaft të mirë në pak kohë, tekniku tashmë do të vijojë të qëndrojë në krye të bankinës bardheblu”, – shkruhet në njoftimin zyrtar të klubit kryeqytetas.

Trajneri i Tiranës, Orges Shehi. Gazeta Si, 31 maj 2021

U duk se pozitat e Shehit u lëkundën fort pas mbetjes jashtë Europe të Tiranës, madje qarkulluan zëra edhe për një interesim për trajnerin e Vllaznisë, Tomas Bërdariç, por tani situata është qartësuar. Vendimi nuk është se është pritur edhe aq mirë nga tifozët e Tiranës, të cilët nuk mund të jenë kurrë të kënaqur me vendin e 5-të dhe nuk e kuptojnë se çfarë do të thotë klubi me “punën mjaft të mirë” të trajnerit Shehi.

Pasi mbylli nkarrierën si futbollist, Orges Shehi ka drejtuar ekipet e Skënderbeut, Kukësit për një kohë të shkurtër dhe tani Tiranën.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë