Futboll

Elseid Hysaj është një nga kushtet e Sarrit, Tare duhet të bindë shkodranin

Bisedimet e Tares me trajnerin Mauricio Sarri vazhdojnë në dy binarë paralelë. Akordi duket afër, edhe pse metrat e fundit janë gjithmonë ato më të vështirat. Ish-trajneri i Napolit dhe Juventusit pritet të takohet edhe me presidentin Klaudio Lotito dhe më pas mund të ketë një njoftim zyrtar.

Binarët paralelë kanë të bëjnë me pagën e Sarrit dhe projektin teknik të skuadrës. Në aspektin e parë diferencat janë reduktuar. Pas takimit të së hënës me Taren, të martën ishte radha e avokatëve të dy palëve për të qartësuar termat ekonomikë. Sarri kërkon rreth 4 milionë euro, Lacio i ofron 3 si pjesë fikse. Diferenca mund të plotësohet me bonuset, megjithatë klubit bardhekaltër i duhet edhe një sforco e vogël.

Elseid Hysaj me fanellën e Kombëtares. Gazeta Si, 2 qershor 2021

Delikate është edhe çështja teknike, për të cilën Sarri diskutoi me Taren. Drejtori sportiv shqiptar duhet të plotësojë kërkesat e trajnerit në merkato dhe emri i parë në listë është futbollisti i Kombëtares, Elseid Hysaj. Sarri e ka pasur nën urdhrat e tij tek Empoli dhe Napoli, tani e do edhe te Lacio. Hysajt i përfundon kontrata me Napolin dhe aktualisht është në fazë rikuperimi, pasi një dëmtim e largoi edhe nga grumbullimi i Kombëtares.

Përveç Hysajt, Sarri ka edhe disa kushte të tjera për merkaton, sepse do që skuadra të rinovohet. Nga 3-5-2 e Inzagit, do të kalohet në 4-3-3, ose 4-3-1-2 nga Sarri, kështu që duhen lojtarët adaptë, duke nisur nga dy mbrojtës krahu, që mund të jenë Hysaj dhe Likogianis. Mbrojtësi i Kombëtares ka marrë oferta edhe nga jashtë Italisë, por do të ishte i lumtur të punonte sërish me Sarrin, “babanë” e tij sportiv.

Për të fuqizuar sulmin, trajneri Sarri ka kërkuar që Imobiles t’i bashkohen dy përforcime, kolumbiani Borré i River Plejtit dhe Josip Iliçiç, që pritet të largohet nga Atalanta.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë