Futboll

Drejt EURO 2021/ Bind Franca, barazon Gjermania. Kore raciste në Angli

Anglia, në grup me Shqipërinë në kualifikueset e Botërorit, po përgatitet për më të mirën në Europian. Ajo ka mundur 1-0 Austrinë në miqësore, pas një pjese të parë me pak emocione, edhe pse në fushë pati luftë sportive. Goli i vetëm u shënua në minutën e 57-të nga Saka, i cili e dërgoi topin në rrjetën e portës së boshatisur. Austria goditi traversën me Sabitzer, ndërsa trajnerin Southgejt e shqetëson dëmtimi i Aleksander-Arnold.

Për t‘u përmendur në miqësoret e tjera është fitorja 3-0 e Francës ndaj Uellsit, kundërshtarit të së shtunës për Shqipërinë në Kardif (miqësore). Për Francën shënuan Mbape, Grizman dhe Dembele, ndërsa Benzema humbi një penallti.

Franca feston fitoren ndaj Uellsit. Gazeta Si, 3 qershor 2021

Vetëm barazime për Gjermaninë dhe Holandën. Gjermanët barazuan 2-2 me Danimarkën, ku për skuadrën e Joakim Lëv realizoi Neuhaus dhe për danezët barazoi Polsen. Holanda barazoi 2-2 me Skocinë, të dy golat për “tulipanët” mbajnë autorësinë e sulmuesit Memfis Depai.

Ajo që shqetëson në prag të Euro 2020 ka të bëjë me një episod para ndeshjes Angli-Austri, konkretisht me sjelljen e publikut. Duhej të ishte festë, pasi Anglia kthehej të luante me tifozë (8000 në Riverside Stadium të Midëllesbrout), por ulërimat karshi 22 lojtarëve në fushë, kur ata u ulën në gjunjë në shenjë solidariteti me lëvizjen “Black Lives Matter”, lënë të kuptohet se apelet e vazhdueshme kundër racizmit të çdo forme, nuk janë perceptuar si duhet nga të gjithë. Pas ndeshjes edhe trajneri Southgejt e ngritit këtë shqetësim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë