Politike

Basha: Oferta e Ramës për bashkëpunim, diabolike, po synon të përçajë PD

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u tha demokratëve të Tiranës se zgjedhjet u vodhën, se ai nuk do t’i njohë kurrë ato, dhe se nuk do të ketë bashkëpunim me Edi Ramën.  

“Më 25 prill një pakicë harbutësh të korruptuar ka vendosur të asgjësojë këtë vullnet, ta tjetërsojë këtë vullnet, t’i mbivendoset këtij vullneti. Se si, ju e dini fare mirë.

Njësoj si në ‘91 edhe 25 prilli ishin zgjedhje pa zgjidhje. Njësoj si atëherë por akoma më keq se në ‘91, akoma më keq se në 2001, u bënë bashkë shteti dhe partia dhe paratë e derdhura lumë të korrupsionit dhe të krimit të organizuar, tjetërsuan vullnetin e qytetarëve shqiptarë.

Dhe ju ftoj ta zhvillojmë këtë me përpikmëri, me vetëdije të plotë se është një nga vlerat kryesore të familjes tonë, por njëkohësisht kjo gare e ka një disavantazh, ajo zhvillohet në kushtet kur kundërshtari politik ka kryer krimin më të madh dhe kur Shqipëria ndodhet në udhëkryq…”, tha Basha.

Sipas tij, bashkëpunim me Ramën nuk mund të ketë.  

“E para, është një vazhdim i propagandës, të agresionit ndaj Partisë Demokratike përmes ofertave diabolike për bashkëpunim.

Bashkëpunim pa vija të kuqe madje, me fletë të bardhë përpara madje. Sigurisht që është një mashtrim, as e para, as e dyta, por e shumta ndër hiletë që tashmë ky kundërshtar djallëzor i ka kthyer në një përditshmëri.

Duke na ftuar për bashkëpunim, në fakt na fton të asgjësohemi si e vetmja forcë që mund të denoncojmë krimin, mund të luftojmë krimin dhe mund të ndërtojmë betejën për të rrëzuar krimin dhe kriminelët.

Nëse shkojmë në atë drejtim nuk ka më asnjë shpresë për Shqipërinë dhe shqiptarët, nuk ka më asnjë forcë që t’i kundërvihet. Prandaj për këtë çështje dua të jem i qartë, i prerë, i shkurtër. E para, 25 prilli është një masakër zgjedhore dhe unë si kryetar i Partisë Demokratike me përgjegjësi të plotë kam deklaruar se nuk i njoh dhe nuk e pranoj masakrën zgjedhore të 25 prillit.

Nuk i njoh rezultatet e tjetërsuara dhe vullnetin e tjetërsuar të 25 prillit. Dhe së dyti, se përgjigjja e prerë ndaj ofertës për bashkëpunim pa vija te kuqe dhe fletëve të bardha e të zeza të Edi Ramës është një jo e prerë dhe finale”, tha ai

Basha tha se është Rama ai që po synon të përçajë PD-në.  

“Edi Rama nuk do që kjo betejë të vazhdojë, do që të merremi më njëri-tjetrin, do që të hutohemi e të shpërndahemi, të dekurajohemi. Ndërsa unë njësoj si ju e dua Partinë Demokratike të pandarë, e dua Partinë Demokratike të bashkuar dhe dua besimin tuaj për ta vazhduar betejën tonë deri në fund deri në rrëzimin e regjimit dhe plotësimin e misionit që kemi përpara Shqipërisë dhe përpara shqiptarëve”. 


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë