Ne rrjet

Greqia përdor bomba zanore për të mbajtur emigrantët jashtë kufijve

Bashkimi Europian ka shprehur shqetësime rreth përdorimit të raportuar nga Greqia të “bombave” zanore për të parandaluar emigrantët që t’i afrohen kufijve të saj.

Zëdhënësi i Komisionit Europian Adalbert Jahnz tha të enjten se BE kishte vërejtur me shqetësim raportet mediake mbi përdorimin e pajisjeve akustike në kufirin e Greqisë me Turqinë.

Jahnz tha se Komisioni Europian do të “kërkonte informacion nga Athina” në lidhje me përdorimin e këtyre pajisjeve. Ai gjithashtu sugjeroi që përdorimi i teknologjisë mund të jetë në kundërshtim me ligjet e BE mbi të drejtat themelore të njeriut.

Edhe pse tha se u takon vendeve anëtare të BE të vendosin se si të menaxhojnë kufijtë e tyre, trajtimi i emigrantëve “duhet të përputhet me të drejtat themelore europiane, duke përfshirë të drejtën e dinjitetit”.

“Masat për parandalimin e emigrantëve duhet të jenë proporcionale dhe të respektojnë të drejtat themelore, përfshirë të drejtat e azilit,” tha ai, duke iu referuar parimit themelor të së drejtës ndërkombëtare që ndalon vendet të kthejnë azilkërkuesit në vendet ku ata do të përballen me rrezik të mundshëm.

Deklaratat e Jahnz vijnë pasi “Associated Press” raportoi të hënën se zyrtarët kufitarë grekë po përdornin pajisje me zë duke shkaktuar zhurma të forta që janë ta padurueshëm për njerëzit rreth e rrotull, duke i detyruar të largohen.

Pajisja me rreze të gjatë raportohet se mund të lëshojë një zhurmë që është e barabartë me shpërthimin e një makine.

BE e ka cilësuar përdorimin e këtyre pajisjeve “të rrezikshëm, eksperimental dhe diskriminues”. Monitoruesit e të drejtave të njeriut paralajmërojnë se përdorimi i pajisjeve të tilla për të parandaluar kalimin e azilkërkuesve rrezikon t’i kthejë kufijtë europianë  në barriera çnjerëzore që i mbajnë njerëzit larg përmes frikës dhe dhunës.

“Largimi i emigrantëve pa u dhënë atyre mundësinë për të aplikuar për azil është i paligjshëm sipas të drejtës europiane dhe ndërkombëtare,” vuri në dukje një organizatë për të drejtat e njeriut, Monitori Europiano-Mesdhetar.

Ai gjithashtu u bëri thirrje udhëheqësve të BE për të siguruar që e drejta për të kërkuar azil të mbrohet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë