Bota

Von der Leyen: E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen zhvilloi sot një takim me Presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor, për të përcaktuar përparësitë e Presidencës së ardhshme të BE-së me cila do të merret nga Lubjana zyrtare. Presidentja deklaroi se Ballkani është pjesë e Europës dhe se Komisioni do të punojë për integrimin e tij në union.

“Ne jemi dakord që e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Europian dhe ne duam të bëjmë përparim për atë çështje, “shkroi Von der Leyen në Twitter.

Presidentja e KE-së thotë se presidenca sllovene do të luajë një rol të rëndësishëm në punën mbi rimëkëmbjen dhe qëndrueshmërinë e BE pas pandemisë dhe goditjes së rëndë të shkaktuar në ekonominë e BE.

Deklarata e Von Der Leyen vjen pasi vendet e grupit të Vishegradit dhe Austrisë kanë kërkuar që edhe vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor të përfshihen në Konferencën për të ardhmen e Europës.

Konferenca për të ardhmen e Europës nisi punimet më 9 maj, pikërisht në Ditën e Europës. Ajo është një nismë e përbashkët e tri institucioneve kryesore të BE-së dhe shteteve anëtare.

Konferenca kryesohet nga Parlamenti Europian, Komisioni Europian dhe Këshilli, që veprojnë si pjesëmarrës të barabartë në të.

Qëllimi i kësaj konference  që do të zgjasë rreth një vit e gjysmë është që përmes konsultimeve publike, ku do të përfshihen edhe qytetarët, shoqëria civile dhe shumë aktorë tjerë, të shpërfaqen ide se si shihet e ardhmja e Bashkimit Evropian.

Vendet që kanë mbështetur këtë propozim shprehen se inkurajojnë një përfshirje të partnerëve nga Ballkani Perëndimor në kornizën e konferencës për të ardhmen e Europës.

“Duke respektuar në tërësi rregullat e procedurës, ne besojmë se përfshirja e palëve të interesuara nga Ballkani Perëndimor është e rëndësishme në të gjitha gjashtë fushat e caktuara në qëndrimet e Këshillit rreth Konferencës për të ardhmen e Europës, sidomos për ato që kanë ndikim të drejtpërdrejtë për gjeneratat e reja” thuhet në këtë dokument.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë