Bota

Emigranti 15-muajsh mbytet në detin e Veriut. Trupi gjendet në Norvegji

Trupi i gjetur në brigjet e Norvegjisë, i përket një fëmije kurd 15-muajsh, i cili humbi jetën me familjen e tij duke u përpjekur të kalonte Kanalin e La Manshit.

Kjo u zbulua nga policia norvegjeze, e cila arriti në identifikim përmes një ekzaminimi krahasues të ADN-së. Foshnja, i quajtur Artin, vdiq së bashku me katër anëtarë të familjes së tij kurdo-iraniane, kur anija me të cilën po udhëtonin u mbyt në tetor, ndërsa po përpiqej të arrinte në Mbretërinë e Bashkuar nga Franca.

Për të arritur identifikimin, u mor një profil i ADN-së dhe familja u informua se ishte me të vërtetë Artin, shton i njëjti burim, duke cituar një deklaratë të policisë, duke thënë se “profesionistë të kualifikuar nga departamenti i shkencës ligjore të spitalit universitar në Oslo, arritën të identifikojnë profilet përkatëse të ADN-së”.

Familjarët kishin shprehur dhimbjen dhe konfuzionin e tyre, ndërsa prisnin të dinin se çfarë kishte ndodhur me Artinin. Tani eshtrat e fëmijës do të dërgohen përsëri në Iran për t’u varrosur.

Trupi i Artin u gjet në brigjet e Norvegjisë jugore, afër qytetit Karmoy. Anija në të cilën ndodhej i mituri, u mbyt në 27 tetor 2020.

BBC dhe policia britanike kanë rindërtuar të gjithë udhëtimin e bërë nga familja e tij. Grupi ishte larguar në 7 gusht 2020 nga Kurdistani iranian dhe kishte arritur në brigjet perëndimore të Turqisë. Prej këtu, ai kaloi në brigjet e Italisë, duke ndjekur rrugën në Detin Jon.

Familja e të miturit, të cilët humbën jetën nga fundosja e anijes

Familja e Artinit, dëshironte të arrinte në kampin Dunkirk. 15 njerëz ishin shpëtuar nga fundosja e anijes, dëshmitë e të cilëve bënë të mundur rindërtimin e të gjithë udhëtimit tragjik.

Rruga që i çon migrantët të sfidojnë kalimin e Kanalit anglez nga Franca në Britaninë e Madhe, mbetet ndër më të rrezikshmet. Në javën e parë të qershorit, policia e Mbretërisë së Bashkuar, ndaloi rreth 600 njerëz duke u përpjekur të zbarkonin përtej Kanalit, pasi ishin nisur nga Calais. Në vitin 2020, numri i përgjithshëm i klandestinëve ishte mbi 8,000.

Qeveria e Londrës u përpoq të ndalonte fluksin, duke ndërtuar barriera metalike. Një marrëveshje e arritur nëntorin e kaluar midis Francës dhe Britanisë së Madhe, parashikon një intensifikim të patrullave, gjithashtu me përdorimin e dronëve me një kosto totale prej 31 milionë euro.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë