Politike

Kadilli: PD të mos jetë më ajo që trashëgojmë nga Berisha apo Basha

Fatbardh Kadilli, një nga kandidatët për kreun e Partisë Demokratike, thotë se kësaj force politike i duhet një transformim rrënjësor. Në një intervistë për Zërin e Amerikës ai shprehet se Partia Demokratike nuk duhet të jetë më ajo që trashëgojmë që nga periudha e zotit Berisha, apo qoftë nga periudha e zotit Basha.

“…Kjo parti nuk duhet të jetë më ajo që ne trashëgojmë që nga periudha e zotit Berisha, apo qoftë nga periudha e zotit Basha. Duhet të jetë një parti që energjizon individin politik, të traditës së djathtë, të qendrës, çdo individ që e sheh Partinë Demokratike si një instrument për të realizuar përfaqësimin, idetë e veta, kauzat e veta politike e për të mbrojtur interesat e veta. Kjo është një opozitë e re…”

Kadilli thotë gjithashtu se kjo parti nuk mund të jetë kurrë në keqkuptim me Shtetet e Bashkuara, ndërsa komenton dhe vendimin e Departamentit amerikan të shtetit ndaj ish kryeministrit Sali Berisha.

“Eshtë patjetër një ngjarje shumë e rëndë, jo vetëm për PD-në, por dhe për gjithë Shqipërinë, sepse zoti Berisha është personi me të cilin u identifikua tranzicioni shqiptar, u identifikua Partia Demokratike, ish president, ish kryeministër, lider historik i partisë më të madhe në opozitë. Për të personalisht ka qenë një ngjarje shumë e hidhur. Personalisht kam qenë shumë i qartë, që në ditën e parë, madje jam shprehur përpara se të shprehej dhe kryetari në detyrë, edhe vetë zoti Berisha. Zoti Berisha i ka të gjitha mundësitë, synimet dhe etikën që ta mbrojë veten e tij në rrugë private, pa e përfshirë PD-në në betejë. Deri më sot e ka bërë një gjë të tillë. PD di të bëjë dallimin mes institucionit të memories së vet dhe raporteve me partnerët ndërkombëtar dhe unë jam i bindur se një PD e ridizenjuar, krijon hapësira për të prodhuar shumë herë më tepr opozitë vitale dhe energjike dhe me kualitete njerëzore që do ta kthejnë PD-në në partnerin më të mirë të shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve”, tha Kadilli.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë