Liderët e Ballkanit Perëndimor do të mblidhen të enjten në Tiranë, ku do të priten në Pallatin e Brigadave nga kryeministri Edi Rama
Së bashku me Komisionerin për Zgjerim Oliver Varheli, krerët e Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Bosnje Hercegovinës dhe Mali t të Zi pritet që të koordinojnë kërkesat dhe projektet konkrete për investimet e BE në rajon, në kuadër të Procesit të Berlinit.
Samiti i liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor vjen pak ditë para vendimit në Bruksel për nisjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe pritet të ofrojë sinjale të rëndësishme mbi vendimin që pritet të merret nga Brukseli.
Zëvendëskryeministri maqedonas për Çështjet Europiane Nikolla Dimitrovi deklaroi të martën se fillimi i negociatave me Shkupin dhe Tiranën nuk tregon vetëm për suksesin e dy vendeve, por dërgon edhe për një sinjal të madh të rëndësishëm për të gjithë rajonin, nëse e ardhmja europiane është e prekshme dhe reale.
Kryeministrja serbe Ana Bërnabiç ka njoftuar tanimë pjesëmarrjen, duke konfirmuar edhe vizitën e saj të dytë zyrtare në Shqipëri, ndërsa shefi i qeverisë së Kosovës, Albin Kurti ende nuk ka konfirmuar pjesëmarrjen.
Samiti do të ketë për qëllim të diskutojë mbi vijimin e integrimit të rajonit, duke u bërë një analizë për infrastrukturën ndërlidhëse në Ballkanin Perëndimor. Vitin e kaluar, takimi i 6 liderëve te Ballkanit Perëndimor u zhvillua online. Ai njihet si Samiti i Sofjes ku u miratua paketa e investimeve për rajonin.
Në këtë takim, liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor morën vendimin “për të rritur bashkëpunimin ekonomik në rajon, duke zhvilluar Tregun e Përbashkët Rajonal, bazuar në standardet dhe rregullat e Bashkimit Evropian, për të rritur atraktivitetin dhe konkurrencën e rajonit dhe për të sjellë rajonin më afër tregjeve të Bashkimit Evropian”.
Në fushën e ndërlidhjes së transportit, transportit rrugor, transporti hekurudhor, teknologjisë, energjisë, në kuadër të këtyre shtyllave Ballkani Perëndimor pritet të ketë 9 miliardë euro investime. Por këshilltarja e kryeministrit Rama Odeta Barbullushi zbuloi në një intervistë së fundmi se plani i investimeve synon të ketë potencialin për të sjellë rreth 20 miliardë euro investime për rajonin.
“Kjo e bën edhe më të domosdoshëm këtë diskutim, i cili do të zhvillohet në datën 10, pikërisht për linjëzimin e ideve dhe projekteve në këto fusha” thotë Barbullushi.
Por, cili ka qenë përfitimi i Shqipërisë nga Procesi i Berlinit? Ai nisi në 2014 nën iniciativën e kancelares gjermane dhe ndihmon vendet e Ballkanit të bashkëveprojnë rreth projekteve të përbashkëta të financuara nga BE.
“Do të përmendja linjën e interkonjeksionit mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në fushën e energjisë, mund të përmend segmentin e transportit Tiranë-Aeroport, mbështetja për hidrocentralin e Fierzës apo për ByPass-in e Tiranës”, deklaroi Barbollushi.
Në pritje të konfirmimit nga të gjitha shtetet, ekipet teknike po punojnë për marrëveshje që duhet të firmosen para mbledhjes në Berlin në korrik.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje