Emri i Igli Tares, drejtorit sportiv të Lacios, ka dalë në një emision investigativ të “Rai 3”, të titulluar “Komplotet e errëta të futbollit italian”. Një emision që ka trajtuar botën e nëndheshme të futbollit në Itali dhe që ka shkaktuar polemika të mëdha. Lufta e prokuratorëve, komisionet e tyre, kompani bastesh me pronësi të dyfishtë, lëvizje në merkato të dyshimta: një udhëtim në llogaritë me të kuqe të klubeve, ku edhe reagimi i institucioneve mbytet në muret e shumta prej gome.
Investigimi ka nisur me rolin e disa prokuratorëve dhe denoncimin se një pjesë e tyre marrin pjesën më të madhe të “tortës” për ndërmjetësimet që bëjnë, duke margjinalizuar pjesën më të madhe të kolegëve. Nga një anë flitet për presion të disa lojtarëve për të bindur kolegët të ndryshojnë agjent, nga ana tjetër është ndërmjetësimi i dyfishtë, pavarësisht se nuk lejohet. Ka prokuratorë konsulentë të disa klubeve dhe në të njëjtën kohë mbrojnë interesat e disa lojtarëve.

Është rasti i Mino Raiolës, një prej agjentëve më të njohur, që e ka akuzuar “Rai”-n për lajm të rremë: “Është turp që televizioni shtetëror, duke përdorur paratë publike, të prodhojë lajme të rreme”. Në qendër të hetimit është kompania malteze “Three Sport News” e prokuratorit të Donarumës, Ibrahimoviçit dhe shumë të tjerëve, që në emision konsiderohet një kompani fiktive.
Në emision është folur edhe për një pronësi të fshehur të “Top Bast”, një kompani me 400 salla bastesh në Shqipëri, pas së cilës dyshohet se është drejtori sportiv i Lacios, Igli Tare, bashkë me vëllanë e tij Gentin, konsulli shqiptar në Turqi (përmendet edhe blerja e Vedat Muriqit nga Fenerbahçe).

Drejtuesi shqiptar i Lacios ka reaguar ashpër para se emisioni të transmetohej. Tare ka përgënjeshtruar kategorikisht gjithçka: “Nuk kam asnjë lidhje, është gjithçka false”. Në hetimin e prokurorisë së Barit, dy vëllezërit Tare nuk rezultojnë të jenë nën hetim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje