Bota

“Kasapit të Bosnjës” i konfirmohet burgimi i përjetshëm. Biden: Vendim historik

Gjykatësit e Kombeve të Bashkuara e mbështetën dënimin me burgim të përjetshëm ndaj ish-shefit ushtarak serb, Ratko Mlladic për organizimin e gjenocidit në Srebrenicë dhe mizorive të tjera gjatë gjithë luftës së Bosnjës më 1992-95.

Ish-komandanti serb ka humbur apelin e tij kundër një dënimi të përjetshëm të vitit 2017 për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit.

Mekanizmi Ndërkombëtar për Gjykatat Penale, mbështeti dënimin e përjetshëm për rolin e tij në vrasjen e rreth 8,000 burrave dhe djemve myslimanë boshnjakë në Srebrenicë.

Dhoma e Apelit gjithashtu hodhi poshtë apelin e prokurorisë për të fajësuar, Ratko Mlladiqin, për gjenocid në gjashtë qytetet tjera të Bosnje dhe Hercegovinës.

Mekanizimi Ndërkombëtar për Gjykatat Penale në Hagë, është një institucion pasardhës i Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë.

Vendimi i Apelit do të thotë që ish-gjenerali 79-vjeçar do të kalojë pjesën tjetër të jetës së tij në burg.

Procesi gjyqësor i apelit është vonuar vazhdimisht për shkak të shëndetit të tij dhe së fundmi, nga pandemia e COVID-19. Shefi politik i Mlladic gjatë Luftës së Bosnjës, Radovan Karaxhic, gjithashtu po vuan një dënim të përjetshëm për gjenocid.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e quajti “historik” konfirmimin e dënimit të përjetshëm nga gjykata e Kombeve të Bashkuara për ish-komandantin ushtarak serb të Bosnjës për gjenocid.

Presidenti amerikan përmes një deklarate thotë se mendimet e tij janë me familjet e mbijetuara të shumë viktimave nga mizoritë e Mlladicit.

“Shpresoj që gjykimi i sotëm të jetë një ngushëllim për të gjithë ata që janë të pikëlluar, edhe pse kurrë nuk mund të fshijmë tragjedinë e vdekjes së tyre”, ka thënë Biden.

“Ky gjykim historik tregon se ata që kryejnë krime të tmerrshme do të mbajnë përgjegjësi. Vendimi gjithashtu përforcon vendosmërinë tonë të përbashkët për të parandaluar ndodhjen e mizorive të ardhshme kudo në botë”, thuhet në një deklaratë të presidentit Biden.

Ministrja e Punëve të Jashtme e Bosnje dhe Hercegovinës, Bisera Turkovic, vlerësoi se vendimi kundër, Ratko Mladiqit është përfundimtar dhe historik.

Përmes një deklarate për media ajo tha se “vendimi ka një domethënie për të ardhmen e Bosnje dhe Hercegovinës dhe rajonit, sepse vetëm e vërteta dhe drejtësia mund të kontribojnë në ndërtimin e paqes dhe stabilitetit”.

Turkoviq shprehu shpresën se vendimi, i cili dënoi Mlladicin me burgim të përjetshëm, do të ishte një mundësi për autoritetet e Republikës së Serbisë dhe përfaqësuesit politikë të entitetit boshnjak të Republika Sërpskës, “të cilët mohojnë gjenocidin, të pranojnë të vërtetën dhe të kthehen në të ardhmen evropiane”.

Anëtari i presidencës trepalëshe të Bosnje dhe Hercegovinës, Millorad Dodik, në reagimin e tij tha se gjykata në Hagë nuk e ka përcaktuar përgjegjësinë e drejtpërdrejtë për Ratko Mlladicin.

“Qëllimi i gjykatës për të pajtuar popujt është një besim i rremë”, tha Dodik.

Dodik tha se “ndaj popullit serb është bërë një padrejtësi e madhe”.

Ndërkohë presidentja e Republika Sërpskas, Zheljka Cvijanoviq i tha agjencisë Srna se gjykata e Hagës “konfirmoi rolin e një gjykate antiserbe”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë