Pjesa më e madhe e ekspertëve të futbollit e kuotojnë Francën si kandidaten kryesore për fitimin e Europianit, por, si gjithmonë, çështjet te kjo skuadër nuk mungojnë dhe trajneri Didier Deshamp ka detyrën e vështirë ta mbajë grupin sa më të qetë përpara ndeshjes së parë me Gjermaninë.
Pas miqësores me Bullgarinë, Zhiru ka shigjetuar kolegun e sulmit Kilian Mbape, sipas asaj që shkruan “L’Equipe”. “Realizova një dopietë, por mund të kishim shënuar më shumë, nëse në sulm do të ishim treguar më cinikë. Më thonë se jam diskret, por kjo ndodh, sepse i kërkoj topin dikujt që nuk ma jep”, – ka thënë sulmuesi i Çelsit, i cili zuri vendin e Benzema, pasi ky i fundit u dëmtua.

Zhiru është ankuar për faktin se gjatë pjesës së parë Mbape kishte kombinuar shpesh me lojtarin e Realit të Madridit, ndërsa pas futjes së tij në fushë filloi që të luante vetëm për veten. Fjalë që sigurisht nuk i kanë pëlqyer sulmuesit të PSG-së. Mbape ka dashur t’i përgjigjet publikisht në konferencë shtypi, por Deshamp e ka bllokuar dhe u ka kërkuar të dyve të përqendrohen tek Europiani.
I pyetur për bashkëpunimin e munguar Mbape-Zhiru, pas ndeshjes me Bullgarinë trajneri francez ka thënë se është vetëm një çështje zakoni. Sipas tij, çdo futbollist ka një mënyrë të luajturi të ndryshme nga të tjerët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje