Shqipëria mund të shënojë një prej arritjeve më të mëdha sot, duke u bërë për herë të parë anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit në Kombet e Bashkuara. Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, pritet të votojë për pesë shtetet e reja të cilat do të jene anëtare jo të përhershme të Këshillit të Sigurimit për periudhën 2022-2023.
Votimi do të mbahet sot dhe Shqipëria është kandidatura për të përfaqësuar Europën Juglindore në këtë institucion kaq të rëndësishme për politikën dhe sigurinë globale. Duke qenë kandidaturë e vetme Shqipëria duket e sigurt drejt zgjedhjes dhe marrjes së konfirmimit, kur i duhen 2/3 e votave të vendeve anëtare.
Ambicien për të qenë pjesë e Këshillit të Sigurimit vendi ynë e ka shfaqur që në shtator të vitit 2018, me kryeministrin Edi Rama që deklaronte në atë kohë së pas marrjes së Presidencës së OSBE-së, kjo do të ishte një arritje edhe më e madhe për vendin tonë. Nëse konfirmohet sot, Shqipëria e merr mandatin në janar të vitit 2022 dhe do të përfaqësojë në fakt jo vetëm vendin tonë, por edhe Kosovën, e cila duke qënë se nuk është anëtarë e OKB-së, e ka të pamundur të këtë një zë në Këshillin e Sigurimit, edhe pse ky i fundit me nismën e Rusisë ose Kinës, mban shpesh herë diskutime në lidhje me raportet Prishtinë-Beograd.
Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara është ndër organet më të rëndësishme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, që ka për detyrë mirëmbajtjen e paqes dhe sigurisë në mes të kombeve. Vendimet e këtij organi quhen rezoluta dhe janë të obligueshme, ashtu si rezoluta 12/44 për Kosovën.
Ka dy lloje shtetesh në Këshillin e Sigurimit: 5 shtete anëtare të përhershme dhe 10 shtete të zgjedhura. ShBA, Franca, Britania e Madhe, Kina dhe Rusia janë shtetet anëtare të përhershme. 10 shtetet e zgjedhura kanë ulëse në Këshill për një mandat 2-vjeçar. Një nga këto 10 shtete duhet të jetë nga Europa Lindore.
==
Shqipëria, Brazili, Gaboni, Gana dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë në garë, pa konkurentë nga rajonet përkatëse, për 5 vendet. Por për t’u zgjedhur, secila prej tyre duhet të sigurojë dy të tretat e votave të vendeve anëtare të OKB-së. Votimi është i fshehtë. Shqipëria është vendi i vetëm që nuk ka qënë asnjëherë anëtare e Këshillit të Sigurimit.
Zakonisht shtetet e shpallin kandidaturën e tyre për Këshillin e Sigurimit vite më parë. Por ndodh që ka edhe vende që konkurrojnë në momentet e fundit. Këtë vit, Republika Demokratike e Kongos vendosi muajin e kaluar të vinte kandidaturën, duke vënë në dyshim anëtarësimin pothuajse të sigurtë për dy shtetet e tjera afrikane, Gabonin dhe Ganën. Megjithatë këtë javë, njoftimet nga Afrika vinin në dukje se Presidenti i Republikës Demokratike të Kongos, Felix Tshisekedi ka vendosur ta tërheqë kandidaturën.
Këshilli i Sigurimit merret me paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Ai ka kompetenca të dërgojë paqeruajtës në rajone të trazuara, si dhe të miratojë sanksione.
Veprimet e tij supozohet të parandalojnë dhe zgjidhin konflikte, por në vitet e fiundit, kritikët thonë se pikëpamjet kontradiktore, veçanërisht mes pesë anëtarëve të përhershëm, kanë bllokuar marrjen e vendimeve për çështje urgjente.
“Veprimet e Këshillit të Sigurimit për krizat e fundit kanë qënë të mjerueshme”, i tha Zërit të Amerikës drejtori i organizatës “Human Rights Watch” për OKB-në, Louis Charbonneau.
“Për krimet e luftës në Gazë, shkeljet masive të të drejtave të njeriut në Mianmar, apo krimet në rajonin Tigray të Etiopisë, e shumta që ka bërë Këshilli i Sigurimit, edhe kjo, në se ka qënë me fat, ka qënë thjesht shprehja e shqetësimit”.
Votimi i përvitshëm për zgjedhjen e 5 nga 10 antarëve jo të përhershëm, grumbullon qindra diplomatë në mjediset e Asamblesë së Përgjithshme, ku vendet kandidate finalizojnë fushatën e tyre disa mujore për t’u zgjedhur.
Por mjediset e OKB-së janë në zemër të Nju Jorkut, të goditur rëndë nga pandemia e Covid-19. Qyteti shpalli rihapjen para tri javësh, por disa kufizime janë ende në fuqi brenda mjediseve të OKB-së, ç’ka do të bëjë që në votim të jenë të pranishëm fizikisht pak diplomatë.
Vendet kandidate do të zëvendësojnë pesë anëtarë aktualë, Estonia, Nigeri, Saint Vincent dhe Grenadines, Tunizia dhe Vietnami.
Mandati i antarëve të rinj fillon më 1 janar. Pesë shtetet e tjera në grupin e 10 anëtarëve jo të përhershme janë India, Irlanda, Kenia, Meksika dhe Norvegjia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje