Hapja dhe e gjithë fushata zgjedhore ishte dinamike në termat e numrave dhe përfshirjes së kandidateve femra për deputete, por fatkeqësisht sasia e tyre në numra nuk u përkthye në një pasqyrim të saktë e të drejtë në media.
Në këtë përfundim ka mbërritur një raport vëzhgues i Westminster Foundation for Democracy (WFD), mbështetur nga Qeveria britanike.
Sipas këtij raporti, në të gjitha takimet elektorale me vajza dhe gra, partitë politike ngritën problematikën e papunësisë, taksave, familje, edukimit dhe fuqizimit ekonomik të tyre, por mbulimi mediatik u përqëndrua te kandidatët burra.
“Mbulimi i zgjedhjeve në edicionet e lajmeve, nëpër gazeta dhe portale u përqëndrua fort te politikanët meshkuj. Shumë pak femra u përfshinë në panelet televizive gjatë debate politike”, thotë raporti.
Nën vëzhgim kanë qenë 9 media, televizive, radiofonike, gazeta print dhe media online.
“Hapësira mediatike u karakterizua nga diferencimi i thellë mes kandidatëve meshkuj dhe atyre femra. Gratë patën më pak mundësi për t’u promovuar. Portalet u përqëndruar posaçërisht te kandidatët meshkuj”, theksohet në raportin vëzhgues.
Sipas fondacionit, kandidatet femra fitonin vëmendjen mediatike vetëm në rastet kur sulmonin Kryeministrin, ose udhëheqësit e tjerë meshkuj të politikës.
“Gratë tërhoqën vëmendjen e medias vetëm kur sulmuan Kryeministri, ose udhëheqës të partive të tjera politike, ose kur ndiqnin një diskurs publik të ngjashëm në fjalor me udhëheqësin e partisë, duke bërtitur, fajësuar, viktimizuar, poshtëruar dhe ofenduar kundërshtarin”, vijohet mes gjetjeve.
Mbulimi mediatik ishte shqetësues për shkak të mungesës së pasqyrimit të problematikave specifike për problemet e femrave në Shqipëri. Përgjithësisht, takimet e udhëheqësve të partive me gratë në zonat rurale dhe urbane u transmetuan paradite, ose në drekë duke lënë orarin e shikueshmërisë më të lartë në pasdite dhe mbrëmje për skandalet dhe përplasjet mes palëve rivale”, thuhet më tej.
Raporti thotë se në këto zgjedhje u vu re katapultimi i kandidateve pa përfshirje në të shkuarën në politike, që u vendosën në krye të listave dhe që shpesh u shënjestruan nga sulmet mediatike. Në të nuk përmenden emra, por shënjestër e mediave kanë qenë sidomos Luljeta Bozo dhe Najada Çomo, dy kandidatet e renditura të parat në listën e PS-së për Tiranën.
Fondacioni rekomandon ndryshime ligjore dhe rregulla që të mundësojnë autoritetet rregullatore ndërhyrjen e mënjëhershme gjatë fushatave elektorale dhe jo pas tyre, për adresuar shkeljet të mundshme të mediave në këtë fushë.
Rekomandohet gjithashtu që gazetarët që mbulojnë fushatat elektorale të trajnohen për të mbuluar ashtu siç duhet aktivitetet e kandidateve, partitë të trajtojnë në mënyrë të barabartë mediat dhe mediat të trajtojnë në mënyrë të barabartë kandidatët, pavarësisht gjinisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje