Politike

Kuvendi zvarrit miratimin e projektligjit të shoqërisë civile për paditë kolektive

Kuvendi aktual ja kaloi Kuvendit të ri shqyrtimin dhe miratimin e një projektligji të hartuar nga 73 organizata dhe shoqata të shoqërisë civile që synojnë të ngrenë në vend për herë të parë institucionin e padive kolektive në gjykatë.

Futja në kalendarin e punimeve të këtij projektligji u kërkua nga deputetja socialiste, Vasilika Hysi gjatë diskutimeve të zhvilluara në konferencën e kryetarëve të mbajtur më datë 8 qershor.

“Është një projektligj që është kërkuar prej disa muajsh të shqyrtohet, të futet në kalendarin e punës së Kuvendit të Shqipërisë. Nisur nga rëndësia që ligji ka për qytetarët për të shmangur zvarritjet në gjykata, trajtimet individuale të kërkesave ose ankesave për shkeljen e të drejtave të tyre, ligji “Për paditë kolektive” besoj që do të ishte e mira të ishte futur në kalendar”, deklaroi Hysi.

Por, që nisma e shoqërisë civile të merrej në shqyrtim dhe të përfshihej në kalendar duhej firmosur nga të paktën një deputet i Parlamentit, kusht që megjithëse siç, Hysi ka deklaruar në këtë mbledhje është diskutuar muaj më parë me Taulant Ballën dhe Ulsi Manjën, nuk është plotësuar ende.

“Në fakt, projektligji “Për paditë kolektive” nuk është depozituar në Kuvend nuk është materializuar si nismë në përputhje me nenin 81 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”, deklaroi kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja.

Manja thotë se për shkak se Kuvendi aktual është në mbyllje të punimeve, do të ishte e udhës që ky propozim t’i kalohej Kuvendit të ri.

“Nuk është depozituar ende, edhe për faktin se parlamenti është në mbyllje të legjislaturës dhe ndoshta ky projektligj do të ishte më mirë të trajtohej nga parlamenti i ri që do të vijë. Është një ligj procedural dhe, natyrisht, është i arsyetuar dhe i argumentuar pse kërkohet miratimi i ligjit për paditë kolektive, por nuk është depozituar konform nenit 81 të Kushtetutës”, tha Manja.

Padia kolektive është një mjet ligjor nëpërmjet së cilit një subjekt (organizatë jo-fitimprurëse apo përfaqësues ligjor) mund të ngrejë një padi në Gjykatë në emër të një grupi personash të dëmtuar, për të përfituar dëmshpërblim për veprimet e vendimet e paligjshme të një ndërmarrje të caktuar.

Kjo formë padie ka disa dobi, që nga shmangia e padive individuale për të njëjtin vendim e veprim të paligjshëm, realizon interesat e një grupi më të madh individësh pa shpenzime monetare dhe kohore për ta, mundëson që të gjithë individët e dëmtuar nga një sjellje e paligjshme e një ndërmarrje që ofron mallra, ose shërbime, ose nga punëdhënësit që të dëmshpërblehen pa pasur nevojë që të ngrenë personalisht padi në gjykatë.

Gjithashtu, këto padi ndihmojnë edhe në uljen e ngarkesës që kanë gjykatat, në një kohë që përballen me mungesë burimesh njerëzore për shkak të procesit të vettingut dhe reformës në drejtësi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë