Politike

Nga Kim e Soreca te Rama e Meta, reagimet për anëtarisimin në KS-në e OKB-së

Pas lajmit të anëtarësimit zyrtar të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, kanë ardhur menjëherë reagimet e drejtuesve të lartë të shtetit shqiptar, ambasadores amerikane në vendin tone, Yuri Kim, dhe ambasadorit të BE-së, Luigi Soreca.

Yuri Kim, ambasadorja amerikane në Tiranë, e ka përshëndetur në shqip anëtarësimin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurisë në OKB. Në Tëitter ajo ka shkruar: “Historia u shkruajt: urime Shqipërisë për zgjedhjen për herë të parë në histori në Këshillin e Sigurisë së OKB! SHBA-të mirëpresin të punojnë me Shqipërinë edhe më ngushtë në rajon dhe mbarë botën. Urime!”

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca, e ka quajtur ditë historike për Shqipërinë. “Ditë historike për Shqipërinë dhe popullin shqiptar. Urime për zgjedhjen si anëtare e KS-së të OKB-së për vitet 2022-2023. Presim të punojmë më shumë së bashku me çështjet rajonale dhe globale”,- ka shkruar Soreca.

Dokumenti i postuar nga kryeministri Rama në Facebook. Gazeta Si, 11 qershor 2021

Një postim të shkurtër në profilin e tij në Facebook ka bërë kryeministri Edi Rama: “Lajm i bukur. Me 175 vota nga 117 të nevojshme, Shqipëria u zgjodh anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB për vitet 2022-2023”.

Lajmi është përshëndetur edhe nga presidenti i Republikës, Ilir Meta. Në “Facebook” ai ka shkruar: “Përshëndes zgjedhjen sot të Shqipërisë, anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për herë të parë në 65 vite anëtarësi në këtë Organizatë të rëndësishme për paqen, sigurinë dhe stabilitetin global. Sfidat janë të jashtëzakonshme dhe shumë të vështira, por shpreh bindjen se vendi ynë do të përmbushë me përgjegjësi të lartë këtë detyrë dhe mision për dy vitet e ardhshme”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë