Ka nisur në Bruksel samiti i vendeve anëtare të NATO-s, ku është i pranishëm edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.
Liderët e 30 vendeve anëtare nuk janë mbledhur ballë për ballë prej vitit 2018, për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Në agjendë të diskutimeve, pritet të jenë tërheqja e trupave nga Afganistani, marrëdhëniet me Rusinë dhe Kinën si dhe shpenzimet e aleancës në fushën e mbrojtjes.
Përpara samitit, shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se takimi vjen “në një moment thelbësor për aleancën” dhe për “sigurinë kolektive”, si dhe paraqet një “mundësi unike” për të rinovuar lidhjet.
“Ne duhet t’u përgjigjemi shumë kërcënimeve dhe sfidave në të njëjtën kohë”, tha Stoltenberg, duke iu bërë thirrje vendeve anëtare që t’i përgjigjen rritjes së ndikimit të Kinës.
Udhëheqësit e NATO-s pritet të lëshojnë një deklaratë, në të cilën Kina do të etiketohet si rrezik për sigurinë. “Ne nuk po hyjmë në një Luftë të re të Ftohtë dhe Kina nuk është kundërshtari ynë, as armiku ynë”, – tha Stoltenberg në selinë e NATO-s, përpara samitit.
“Por, ne duhet t’i trajtojmë së bashku, si aleancë, sfidat që ngritja e Kinës paraqet për sigurinë tonë”, tha ai.
Mesazhi i tij pason një deklaratë të lëshuar nga grupi i vendeve më të industrializuara G7, i cili u takua në Mbretërinë e Bashkuar, javën e kaluar.
G7 e akuzoi Kinën për shkelje të të drejtave të njeriut dhe kërkoi hetime transparente të origjinës së koronavirusit.
Në përgjigje, Kina e akuzoi G7-ën për “gënjeshtra, thashetheme dhe pretendime të pabazuara”.
Të pranishëm në takim nga Ballkani Perëndimor, janë kryeministri shqiptar Edi Rama, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje