Pas shumë përplasjesh dhe akuzash, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan duket se ka vendosur të zgjasë dorën e pajtimit me presidentin amerikan Joe Biden, duke deklaruar pas një takimi dy palësh se miqësia turko-amerikane është e pathyeshme dhe se dy vendet do të gjenin gjithmonë gjuhën e përbashkët.
“Ne besojmë se nuk ka asnjë problem që nuk mund të zgjidhet në marrëdhëniet Turqi-SHBA”, shtoi Erdogan pasi mbajti takimin e tij të parë me Biden që nga zgjedhja e tij si president.
Në një konferencë shtypi gjatë samitit të NATO-s në Bruksel, Erdogan tha se “bisedimet e gjera” me Biden mbuluan bashkëpunimin mbi çështjet rajonale. Po ashtu ai u ndal tek vitet e gjata të miqësisë me udhëheqësin e SHBA-së.
Në një konferencë të shkurtër me gazetarët, Biden i përshkroi bisedimet me Erdogan si një “takim shumë të mirë”. Ai dhe Erdogan u takuan privatisht përpara se të bashkoheshin nga zyrtarë të tjerë. Ata kaluan gjithsej më shumë se një orë së bashku.
Biden e njeh Erdoganin prej vitesh por marrëdhënia e tyre ka qenë shpesh e diskutueshme. Gjatë fushatës së tij zgjedhore, Biden e përshkroi Erdoganin si një “autokrat”.
Në Prill, Biden tërboi Ankaranë duke deklaruar se vrasjet masive të epokës Osmane dhe dëbimet e Armenëve ishin “gjenocid”, një term që presidentët e SHBA kanë shmangur prej vitesh.
Erdogan sinjalizoi se të dy udhëheqësit nuk arritën të gjejnë një mënyrë për të kapërcyer mosmarrëveshjet rreth blerjes së sistemeve të përparuara të mbrojtjes raketore ruse S-400. SHBA thotë se teknologjia është një kërcënim për NATO-n dhe ka bërë që SHBA të ndalojë prodhimin e avioënev luftarakë në Turqi.
“Qendrimi ynë për S-400 është i njëjtë si më parë, unë ia transmetova të njëjtat mendime edhe zotit Biden,” tha Erdogan.
Erdogan gjithashtu i bëri thirrje SHBA-së për t’i dhënë fund mbështetjes për grupet e armatosura kurde, të cilat Turqia i konsideron si “terroriste”.
Një zonë ku Erdogan shpresonte të tregonte një rol qendror është Afganistani, ku Ankaraja ka ofruar të ruajë dhe operojë aeroportin e Kabulit pasi forcat e SHBA-së dhe NATO-s të tërhiqen në javët e
ardhshme. Kreu i NATO-s Jens Stoltenberg tha se Turqia do të luante një rol kryesor por asnjë vendim nuk u mor në samitin e së hënës.
Para takimit me Biden, presidenti turk u takua gjithashtu me udhëheqës të tjerë botërorë gjatë samitit, duke përfshirë Kancelaren gjermane Angela Merkel, Kryeministrin Britanik Boris Johnson dhe Presidentin Francez Emmanuel Macron.
Macron shkroi në Tëitter se ai dëshiron të “shkojë përpara” drejt një marrëdhënieje më të mirë me Turqinë. Ishte takimi i tyre i parë që kur mosmarrëveshja midis dy vendeve arriti kulmin në tetor pasi Erdogan vuri në dyshim shëndetin mendor të Macron.
Macron tha se ai dëshiron që të gjithë aleatët e NATO-s të bëjnë një angazhim të qartë për vlerat, parimet dhe rregullat e organizatës ushtarake.
Dy udhëheqësit diskutuan për përfshirjen e Turqisë në Libi dhe Siri. Macron ka akuzuar Turqinë për rritjen e pranisë ushtarake në Libi dhe dërgimin e luftëtarëve të armatosur nga Siria.
Macron gjithashtu theksoi se sekularizmi i Francës respekton të gjitha fetë, përfshirë Islamin. Presidenca franceze tha se një “sqarim” ishte i nevojshëm në përgjigje të kritikës së ashpër të Erdogan ndaj qëndrimit të Macron ndaj Islamit dhe myslimanëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje