Politike

Xhaçka: BE të mbajë premtimin për negociatat

Ministrja e Jashtme i kërkoi Bashkimin Europian që të tregojë me veprime konkrete se është i përkushtuar ndaj Ballkanit Perëndimor dhe të mbajë premtimet e dhëna për procesin e zgjerimit.

“Politika e zgjerimit bazohet mbi parimin e hekurt të vlerësimit të meritës së çdo vendi. Por kjo kërkon edhe parashikueshmëri të procesit, nëpërmjet të cilit çdo arritje standardesh apo kriteresh duhet të çojë në hapin e radhës në rrugën drejt BE-së. Një proces i tillë, i besueshëm dhe i prekshëm, është një mbështetje e pazëvendësueshme për reformat e vështira që jemi duke zbatuar”, deklaroi Xhaçka.

Ministrja mori pjesë në forumin e Antaljas me temë “Fqinjët shohin së bashku: E ardhmja e Europës”. Në këtë forum merrnin pjesë edhe panelistë si europarlamentari Sergey Lagodisnky, përfaqësuesi i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak dhe ish-kryeministri rumun, Viktor Ponta.

Lajçak dhe Lagodinsky nënvizuan se nuk duhet të ketë më asnjë vonesë për hapjen e negociatave mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Udhëheqësit e BE do të mblidhen në një samit më 24 dhe 25 qershor, ku do të diskutohet edhe për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Këtë herë, për Shqipërinë vende që më parë e kanë bllokuar këtë proces, si Franca dhe Holanda janë shprehur pro, por vendi rrezikon që të jetë peng i përplasjes mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Sofja është kokëfortë në lidhje me veton e vendosur ndaj Shkupit, që arsyetohet me disa kërkesa kulturore dhe gjuhësore, që nga ana tjetër Maqedonia e Veriut pretendon se i cenojnë identitetin e saj kombëtar.

Komisioni Europian nga ana tjetër këmbëngul që vendimi për mbajtjen e konferencës së parë të jepet në bllok, si për Shqipërinë, ashtu edhe për Maqedoninë e Veriut, që do të thotë se me ngeljen në klasë të Shkupit, do të shtyhet për në vjeshtë edhe Tirana.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë