Në një intervistë dhënë për televizionin “France 24”, Kryeministri Edi Rama foli për perspektivën e integrimit të Shqipërisë në BE, përpjekjet e qeverisë që drejton në këtë drejtim, situatën nga pandemia dhe zgjedhjet e 25 prillit.
Sa u takon negociatave, Rama këmbënguli se Shqipëria ka plotësuar kushtet për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, por përsëriti se ky proces nuk është më në dorë të Shqipërisë.
“Sepse është një çështje e dinamikës së brendshme, një histori konsensusi që ndonjëherë është i vështirë, normalisht duhet ta marrim dritën jeshile duke mbajtur parasysh se ka një problem tjetër mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, sepse ne dhe Maqedonia e Veriut e presim së bashku këtë vendim dhe do të shohim nëse ky problem do të zgjidhet përpara samitit”, tha Rama.
Fushatën zgjedhore të 25 prillit nuk e cilësoi si të pazakontë nëse krahasohet me vendet e tjera të rajonit. Në këtë pjesë, Rama foli edhe për publikimin e të dhënave të 900 mijë qytetarëve para ditës së zgjedhjeve. Kryeministri tha se të dhënat nuk janë marrë nga institucionet shtetërore, por janë mbledhur nga strukturat e partisë.
“Nuk bëhet fjalë për të dhëna personale konfidenciale që kanë dalë, por bëhet fjalë për të dhëna të organizatave të partive, por që nuk kanë asnjë lidhje me të dhënat personale dhe konfidenciale të Gjendjes Civile”, theksoi ai.
Akuzave për vjedhje të zgjedhjeve iu përgjigj duke përmendur raportin e OSBE/ODIHR, që sipas Ramës i vlerësoi zgjedhjet me integritet dhe standarde, pavarësisht problematikave që lindën.
Duke u ndalur të reforma në drejtësi dhe përpjekjet për të luftuar korrupsionin, Kryeministri citoi në këtë intervistë dënimin e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla me burg për mosdeklarim pasurie.
Sa i takon menaxhimit të pandemisë, Rama tha se Shqipëria renditet mes vendeve kryesore europiane për sasinë e vaksinimeve, ndërsa tha se në menaxhimin e situatës është llogaritur edhe fakti që shumë shqiptarë jetojnë si emigrantë jashtë vendit.
“Që prej disa muajve tashmë, njerëzit në Shqipëri mund të hyjnë dhe të dalin pa detyrimin e testit, pa maska. Maskat nuk janë më të detyrueshme që prej disa muajve tashmë. Ato mbahen akoma në ambientet e mbyllura, por nuk ka probleme dhe masa që i detyrojnë qytetarët të mos jenë të lirë”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje